Çfarë do të gjeni në brendësi
*Shkarkimi i Erion Veliajt nga posti i kryebashkiakut të Tiranës ka shkaktuar tashmë një “ngërç” sa i takon zgjedhjeve të parakohshme për bashkinë më të madhe të vendit e cila prej 7 muajsh ka mbetur pa drejtues. *Pasi Veliaj e ankimoi dje vendimin në Gjykatën Kushtetuese, sot qeveria me firmë të sekretarit të Përgjithshëm Ëngjëll Agaçi i ka depozituar presidentit Bajram Begaj shkresën me vakancën për bashkinë e Tiranës dhe 5 bashkive të tjera. *Për këtë ka reaguar edhe Gjykata Kushtetuese e cila pretendon se pasi ankimi i Veliajt është regjistruar, çdo vendimmarrje mbi shkarkimin e tij, pezullohet. Në këtë situatë pritet edhe reagimi i presidentit Bajram Begaj të cilit qeveria i ka dorëzuar vakancat në pritje të tij për të dekretuar një datë kur do të mbahen zgjedhjet e parakohshme vendore.
Rama i dërgoi Begajt vakancën për bashkinë e Tiranës, "Kushtetuesja": Veliaj ka ankimuar, pezullohet procesi
Gjykata Kushtetuese ka regjistruar ankimin e dorëzuar nga avokatët e Erion Veliajt kundër vendimit të qeverisë për shkarkimin e tij nga posti i kryebashkiakut të Tiranës.
Në reagimin e bërë nga gjykata për vakancën që Rama ia ka dorëzuar Begajt për bashkinë e Tiranës, thuhet se në përputhje me nenin 115 të Kushtetutës në rast ankimi, vendimmarrja e këshillit të ministrave pezullohet automatikisht.
Dje u hodh shorti menjëherë pas ankimit të Veliajt dhe ankimi i këtij të fundit do të shqyrtohet nga gjyqtarja Sonila Bejtja. Versus.al
Veliaj ankimoi shkarkimin, Rama dorëzon në presidencë vakancat për Tiranën dhe 5 bashki! Pritet data për zgjedhjet e parakohshme

Pavarësisht se ditën e djeshme Erion Veliaj ankimoi në Gjykatën Kushtetuese vendimin e qeverisë për shkarkimin e tij, sot kryeministri Edi Rama ka dorëzuar në presidencë vakancën për bashkinë e Tiranës dhe 5 bashki të tjera.
Tashmë pritet që presidenti Bajram Begaj të dekretojë një datë zyrtare për zgjedhjet e parakoshme në bashkinë e Tiranës, Vlorës, Matit, Cërrikut, Tepelenës dhe Beratit, bashki që kanë mbetur pa kryetarë që pas zgjedhjeve të 11 majit.

Pasi Begaj të dekretojë një datë për zgjedhjet, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të merret me organizimin e tyre. Kujtojmë se përveç bashkisë së Tiranës ku u arrestua kryebashkiaku Erion Veliaj dhe asaj të Vlorës, ku u dorëhoq Ermal Dredha, në 4 bashkitë e tjera kryebashkiakët u dorëhoqën para zgjedhjeve të 11 majit për të kandiduar si deputetë.
Megjithatë në rastin e Tiranës ka një ngërç për shkak se Veliaj tashmë ka dorëzuar ankimin në Kushtetuese dhe neni 115 i Kushtetutës thotë se në këto kushte çdo vendimmarrje pezullohet derisa gjykata të shprehet mbi ankimin. Versus.al







