Çfarë do të gjeni në brendësi
*Sot Shqipëria feston 80 vjetorin e ditës së çlirimit nga pushtuesit nazifashistë gjermanë dhe italianë. Siç tashmë është kthyer në traditë, forcat politike në vend, çdo vit kur data shënon 29 nëntor, mbajnë homazhe në varrezat e Dëshmorëve të Kombit në Tiranë. *Të parët nga politika që mbajtën homazhe, ishin përfaqësues të Partisë së Lirisë, të cilët më pas në një deklaratë pretenduan se kishin pasur një incident me punonjësit e gardës, të cilët sipas tyre kishin tentuar t’i pengonin në mbajtjen e homazheve. *Më pas për të mbajtur homazhe u paraqitën edhe kryeministri Edi Rama e presidenti Bajram Begaj, të shoqëruar nga kryeparlamentarja Elisa Spiropali, ministri Pirro Vengu dhe kryebashkiaku Erion Veliaj.
80 vjetori i çlirimit, Rama homazhe në varrezat e Dëshmorëve! E shoqërojnë Begaj e Spiropali
Kryeministri Edi Rama ka kryer sot homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Kombit në nderim të atyre që dhanë jetën për të çliruar vendin.
Të pranishëm në homazhe duke shoqëruar kryeministrin, ishin edhe presidenti Bajram Begaj, kryeparlamentarja Elisa Spiropali, ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu si dhe kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Si sot 80 vite më parë, në 29 nëntor të 1944-ës Shqipëria u çlirua nga pushtuesit nazifashistë gjermanë e italianë. Sipas shifrave zyrtare janë 28 mijë dëshmorë të rënë në luftën për liri. Versus.al
VIDEO/ “Rama do ta privatizojë”, incident në varrezat e Dëshmorëve, Blushi: Garda u përpoq të na pengonte
Nënkryetari i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi së bashku me deputeten Erisa Xhixho dhe anëtarë të tjerë të kryesisë kanë nderuar sot dëshmorët e atdheut në varrezat e Kombit.
Ai tha se për Partinë e Lirisë lufta nacional-çlirimtare e dëshmorëve është e shenjtë.
“Së bashku me përfaqësuesit e PL u përulëm me mirënjohje dhe veprës së paharruar të dëshmorëve të atdheut. Për PL-në vlerat e luftës nacional-çlirimtare janë të pacënueshme”- u shpreh Blushi.
Por edhe kjo datë e shënuar siç duket nuk kaloi pa incident. Blushi tha se punonjës të Gardës ishin përpjekur që të mos i lejonin të kryenin ceremoninë e nderimit të dëshmorëve të atdheut. Ai akuzoi Ramën se po përpiqet ta privatizojë edhe datën e çlirimit të vendit.
“Për fat të keq në fillim të kësaj ceremonie patëm një përplasje me punonjësit e gardës së repub;likës që kishin marrë urdhër të na pengonin që të nderojmë dëshmorët. Kjo tregon tentativën e Edi Ramës për të privatizuar këtë datë historike dhe për të dhënë ndoshta edhe me koncesion varrezat e dëshmorëve”- përfundoi Blushi. Versus.al
Shqipëria feston sot 80 vjetorin e çlirimit nga nazifashistët gjermanë e italianë
Sot festohet 80 vjetori i çlirimit nga forcat fashiste italiane e gjermane. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Ushtria Nacional Çlirimtare e Shqipërisë zhvilloi kryengritje të armatosur kundër okupimit të Shqipërisë.
Prej 7 prillit të vitit 1939 e deri më 29 nëntor të vitit 1944, Shqipëria kishte qenë e pushtuar nga Italia dhe pas kapitullimit të saj, në vjeshtë të vitit 1943, Shqipëria pushtohet nga forcat gjermane. Në fund të nëntorit 1944, pas Çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor dhe pjesës kryesore të Shqipërisë së Veriut, mbetej te çlirohej qyteti i Shkodrës dhe qarku i tij.
Shkodra u çlirua më 29 nëntor të vitit 1944, datë kjo e cila shënon ditën e çlirimit të Shqipërisë nga pushtimi gjerman. Siç dihet nga historia, Shqipëria është vendi i parë në Ballkan që u çlirua me forcat e veta, ndërsa të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit u çliruan me ndihmën e Armatës së Kuqe.
Në përkujtim të kësaj dite, autoritetet më të larta shtetërore, mbajnë homazhe në Varrezat e Kombit. Ndërsa dje u festua 112 vjetori i shpalljes së pavarësisë së vendit me flamurin e ngritur në Vlorë nga Ismail Qemali në 28 nëntor 1912. Versus.al