Çfarë do të gjeni në brendësi
*Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka bërë të ditur sot zhvillimin e një operacioni të përbashkët me autoritetet e Finlandës duke sjellë arrestimin e 9 personave në Shqipëri të cilët akuzohen si drejtues të trafikut të drogës nga Spanja e Holanda drejt Finlandës. Gjithashtu u shpallën në kërkim edhe 2 persona të tjerë. *Kreu i SPAK, Altin Dumani theksoi se risi në këtë operacion është fakti se për herë të parë shqiptarët rezultojnë të përfshirë në trafikun e drogave sintetike. *Sipas autoriteteve finlandeze llogaritet që sasia e drogës së trafikuar t’i kalojë disa qindra kilogramë me vlerë miliona euro. Krerët e grupeve me origjinë nga Vlora e Berati dhe me banim në Tiranë, drejtonin trafikun me anë të grupeve ‘Telegram’, 'Whats'up' dhe 'Signal'.
Goditja e rrjetit të trafikut ndërkombëtar të drogës në Shqipëri, SPAK njoftim zyrtar
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka njoftuar zyrtarisht për megaoperacionin ndërkombëtar të zhvilluar në bashkëpunim me autoritetet finlandeze.
Gjatë këtij operacioni janë goditur katër grupe kriminale me anëtarë shqiptarë dhe të huaj, të përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike.
Si rezultat i ndërhyrjes, autoritetet shqiptare kanë lëshuar 11 masa sigurie, prej të cilave 9 janë ekzekutuar, një person ndodhet në kërkim, ndërsa një tjetër dyshohet se ka braktisur vendin.
Ndërkohë, autoritetet shqiptare dhe finlandeze kanë dhënë gjithsej 55 masa sigurie dhe kanë sekuestruar rreth 300 kg lëndë narkotike, përfshirë 170 kg amfetaminë, 10 kg kokainë dhe sasi të konsiderueshme tabletash narkotike.
Në kuadër të operacionit janë arrestuar shtetasit B.S, E.A (alias E.T), A.M, K.Q, T.K (alias T.T), G.S, E.M, L.H dhe D.L. Gjatë kontrollimeve janë sekuestruar gjithashtu 8 automjete, 13 telefona celularë dhe materiale të ndryshme që shërbejnë si prova.
Hetimet zbuluan se gjatë viteve 2022-2024, këto katër grupe të strukturuara kriminale, të krijuara dhe drejtuara kryesisht nga shtetas shqiptarë, trafikonin në Finlandë sasi të mëdha droge si kokainë, amfetaminë, kanabis dhe ekstazi.
Droga vinte kryesisht nga Holanda dhe Spanja, dhe më pas shpërndahej në disa qytete finlandeze përmes një rrjeti të organizuar shpërndarësish, duke siguruar fitime të jashtëligjshme.
Një veçori e këtyre grupeve ishte bashkëpunimi mes tyre dhe në disa raste veprimi për llogari të grupeve të tjera kriminale. Disa prej anëtarëve janë arrestuar dhe dënuar më parë nga gjykatat finlandeze për veprimtaritë e tyre kriminale.
Mes veprimeve të rëndësishme të dokumentuara gjatë periudhës 2022-2024 janë trafikimi dhe shitja e rreth 400 kg amfetaminë, mbi 500 kg kanabis dhe sasi të konsiderueshme kokaine, si dhe shpërndarja masive e tabletave ekstazi në Helsinki dhe qytete të tjera.
Njoftimi i SPAK:
SPAK dhe autoritetet finlandeze godasin rrjetin e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe sintetike. Masa sigurie për 11 shtetas shqiptarë.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në bashkëpunim me autoritetet finlandeze po vijon hetimet në kuadër të procedimit penal nr.147, të regjistruar më 29.06.2023, për veprat penale të “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283 dhe 28/4 të Kodit Penal; “Grup i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a i Kodit Penal; si dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga pika 1 e nenit 334 të Kodit Penal.
Procedimi penal është regjistruar pas kërkesës për bashkëpunim, e cila është paraqitur më 21.06.2023 nga Qendra e Policisë për Krime të Finlandës dhe policisë së Lounais-Suomi, lidhur me hetimet të zhvilluara për trafikim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike të rrezikshme në Finlandë, nga grupe të strukturuara kriminale, të përbërë nga shtetas shqiptarë, në bashkëpunim të ngushtë me shtetas të tjerë finlandezë, europianë dhe aziatikë.
Më datë, 21.11.2023, në kuadër të hetimeve të përbashkëta është krijuar Skuadra e Përbashkët Hetimore, mes Prokurorisë së Posaçme dhe Policisë Qendrore Kriminale të Finlandës, Departmentit pranë Institucionit Policor të Finlandës Jugperëndimore dhe Departmentit pranë Institucionit Policor të Helsinkit.
Pas krijimit të Skuadrës së Përbashkët Hetimore, gjatë 18 muajve të hetimeve intensive, u përdorën metoda speciale të hetimit si; përgjime të komunikimeve telefonike apo regjistrime të fshehta fotografike, filmike apo video, në vende publike, si edhe janë shkëmbyer në kohë reale informacione dhe prova me Byronë Kombëtare të Hetimit të Finlandës.
Nga provat e administruara rezulton se:
Gjatë viteve 2022 dhe në vazhdim, janë evidentuar 4 grupe të strukturuara kriminale, në përbërje të të cilëve kanë qenë shtetas shqiptarë dhe të huaj. Këto grupe, të krijuar, organizuar dhe drejtuar nga shtetas shqiptarë, kanë mundur të trafikonin në territorin e Republikës së Finlandës, sasira të konsiderueshme lëndësh apo substancash narkotike me rrezikshmëri të lartë, përfshirë; kokainë, amfetaminë, kanabis, ekstazi dhe substanca të tjera psikotrope. Droga trafikohej dhe transportohej nga Holanda dhe Spanja si dhe më pas dorëzohej, tregtohej, shpërndahej në disa qytete të Finlandës duke shfrytëzyar edhe një rrjet të mirëorganizuar shpërndarësish të lëndës/substancave narkotike, me qëllim sigurimin e të ardhurave të jashtëligjshme.
Karakteristikë e këtyre grupeve të strukturuara kriminale ka qenë bashkëpunimi mes tyre për realizimin e qëllimeve kriminale ose në disa raste, disa anëtarë të grupeve të strukturuara kriminale, vepronin edhe për llogari të grupeve të tjera. Një pjesë e anëtarëve të këtyre grupeve të strukturuara kriminale janë arrestuar dhe dënuar nga gjykatat e shkallëve të para të Finlandës për këtë veprimtari kriminale.
Episodet më të rëndësishme të dokumentuara gjatë viteve 2022-2024 përfshijnë:
Trafikimin dhe më pas shitjen e rreth 400 kg amfetaminë, mbi 500 kg kanabis si dhe sasi të konsiderueshme kokaine.
Shpërndarjen masive të tabletave ekstazi dhe substancave të tjera të ndaluara në Helsinki dhe qytete të tjerë.
Masa sigurie dhe arrestime:
Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar me vendimin nr.52, datë 02.06.2025, ka vendosur masën e sigurimit “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Proçedurës Penale ndaj 11 shtetasve shqiptarë.
Më 03.06.2025 nga Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit dhe strukturat e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit është bërë e mundur zbatimi i masës së sigurisë për 9 persona nën hetim.
B.S, (27.01.1985)
E.A (alias E.T 07.02.1991)
A.M (07.06.1981)
K.Q (14.04.1981;
T.K (alias T.T 15.10.1977)
G.S (05.07.1994;
E.M, (29.05.1983)
L.H, (09.01.1983)
D.L, (07.06.1983)
Gjatë ekzekutimit të masave të sigurimit janë ushtruar kontrolle të shumta në banesa dhe ambiente biznesi si dhe janë sekuestruar nç cilësinë e provave materiale:
8 automjete
13 telefona celularë
Prova shkresore të ndryshme
Në zbatimin e masave të sigurisë dhe ushtrimin e kontrolleve kanë marrë pjesë edhe oficerë të Byrosë Kombëtare të Hetimit në Finlandë, të policisë së Helsinkit dhe Turkut, Finlandë.Ndihmë të veçantë në hetimin e këtij proçedimi penal ka dhënë Zyra e Oficerit Ndërlidhës të Vendeve Nordike për Shqipërinë dhe Kosovën, duke ngritur urat lidhëse mes SPAK dhe autoriteteve hetimore dhe policore të Finlandës.
Hetimi në kuadër të Skuadrës së Përbashkët Hetimore është mbështetur nga “Rrjeti @ON” i financuar nga Komisioni Europian, i drejtuar nga Drejtoria Italiane e Hetimit Antimafia (DIA)./Versus.al
Nga klasa në krim: Një mësues historie që drejtonte rrjet droge drejt Finlandës

Ai mësonte nxënësit për Skënderbeun dhe Lidhjen e Prizrenit, por në prapaskenë ishte i përfshirë në rrjetin ndërkombëtar të trafikut të drogës.
Një mësues historie në Shqipëri rezulton të jetë një nga drejtuesit e grupit kriminal shqiptar që trafikonte drogë sintetike drejt Finlandës. Grupi u çmontua në një operacion të përbashkët të SPAK dhe autoriteteve finlandeze.
Në total, janë identifikuar katër grupe kriminale me drejtues shqiptarë, të cilat janë goditur gjatë 24 orëve të fundit, duke çuar në arrestimin e nëntë personave. Për dy të tjerë janë lëshuar urdhër-arreste – njëri dyshohet të jetë jashtë vendit.
Sipas të dhënave të Prokurorisë së Posaçme, dy nga “kokat” e rrjetit vijnë nga Vlora, ndërsa të tjerët nga Kuçova dhe Berati, me banim në Tiranë. Por surpriza më e madhe për hetuesit ka qenë pikërisht profili i njërit prej tyre: një mësues historie, pa precedentë penalë, i kthyer në bos droge.
“Na ka bërë përshtypje që për herë të parë kemi të bëjmë me një grup të fokusuar në drogë sintetike,” deklaroi kreu i SPAK Altin Dumani në konferencën për shtyp. Ai theksoi rrezikun e lartë që paraqet ekstazia dhe substancat sintetike, të cilat janë sekuestruar gjatë operacionit.
Dumani zbuloi gjithashtu se strukturat drejtuese të grupeve kriminale ndodheshin në Shqipëri, ndërsa baza e operacioneve ishte në Finlandë.
“Tipologjia është e qartë: kishin bazat në Finlandë, por e menaxhonin gjithçka nga Shqipëria. Në mënyrë periodike dërgonin njerëz atje për shpërndarje,” u shpreh kreu i SPAK.
Të 11 personat që janë të akuzuar janë shqiptarë dhe kanë pasur precedentë penalë në Finlandë. Versus.al
SPAK godet “ekspresin e drogës” Shqipëri–Finlandë! Pamje nga arrestimet, 110 efektivë në aksion

Janë publikuar pamjet e para nga operacioni i përbashkët mes SPAK dhe autoriteteve finlandeze, që çoi në çmontimin e një rrjeti kriminal të trafikut të drogës me rrënjë në Shqipëri dhe tentakula në Finlandë.
Në video shihen momentet kur anëtarët e grupit kriminal vendosen në pranga nga forcat speciale, pas një operacioni të befasishëm. SPAK ka lëshuar gjithsej 11 urdhër-arreste, nga të cilat janë ekzekutuar 9. Një prej të kërkuarve ndodhet ende në arrati brenda territorit shqiptar, ndërsa për një tjetër po punohet me autoritetet partnere jashtë vendit për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Operacioni, i cili përfshiu një koordinim të zgjeruar ndërkombëtar, mobilizoi rreth 110 efektivë të Policisë së Shtetit, të cilët morën pjesë në zbatimin e masave të sigurisë në disa qytete njëkohësisht.
Njoftimi:
Pamje nga operacioni policor i koduar “PIETARI”.
Operacioni, i përbashkët me autoritetet finlandeze.
Gjatë operacionit, për ekzekutimin e 11 masave të sigurisë, u angazhuan rreth 110 punonjës të Policisë së Shtetit. Konkretisht, u përfshinë Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Forca Kombëtare e Sigurisë, në bashkëpunim me drejtoritë vendore të Policisë Tiranë, Berat, Vlorë dhe Gjirokastër.
Nga 11 masa sigurie, Policia e Shtetit në bashkëpunim me BKH-në, kanë ekzekutuar 9 masa sigurie dhe vijon puna për kapjen e 1 shtetasi, ndërsa 1 shtetas, nga informacionet e siguruara, nuk ndodhet në Shqipëri, dhe po bashkëpunohet me auritetet partnere për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Gjithashtu, janë sekuestruar prova të rëndësishme për vijimin e hetimeve paraprake dhe hetimit pasuror. Versus.al
Droga kalohej me kamion dhe shoferë polakë, "kapot" nga Vlora e Berati ‘mbushën’ Finlandën me kokainë

Detaje të tjera janë mësuar nga operacioni i përbashkët mes SPAK dhe autoriteteve finlandeze ndaj grupeve kriminale shqiptare që merreshin me trafikun e drogës.
Bëhet fjalë për trafikun e kokainës e amfetaminës nga Holanda drejt Finlandës. Për të realizuar këtë trafik, shqiptarët përdornin shoferë polakë dhe kamionë me targa polake.
SPAK bën me dije se dy nga krerët e grupeve kriminale, janë me origjinë nga Vlora. Pjesa tjetër ka qenë e përqendruar në zonën e Kuçovës dhe Beratit. Një pjesë e tyre me origjinë nga këto rrethe, banojnë në Tiranë. Versus.al
Operacioni finlandez-SPAK/ Dumani: 4 grupe kriminale, shqiptarët kishin krijuar bazat e tyre! Çfarë na bëri përshtypje

Një operacion i përbashkët mes autoriteteve finlandeze dhe SPAK ka zbardhur aktivitetin e katër grupeve kriminale me përbërje shqiptare, të cilat kishin ngritur baza operative në Finlandë dhe drejtonin trafikun ndërkombëtar të drogës që nga Shqipëria.
Kreu i SPAK, Altin Dumani, deklaroi se aktiviteti kriminal është shtrirë ndër vite, ndërsa organizatorët preferonin të qëndronin në Shqipëri, duke udhëhequr rrjetin nga distanca.
Sipas tij, hetimet zbuluan një element të ri shqetësues: për herë të parë grupet kriminale ishin të fokusuara në trafikun e drogave sintetike, si ekstazi dhe metanfetaminat, përveç lëndëve klasike si kokaina, heroina dhe marijuanë.
“Aktiviteti shtihet në vite. Organizatorët prefereonin të rrinin në Shqipëri dhe nga këtu organizonin gjithë aktivitetin kriminal. Gjykata ka lëshuar 11 masa sigurie të gjithë janë shqiptare. 10 ishin në Shqipëri një ëhstë jashtë. Ata janë të proceduar dhe dënuar në Finlandë. Aty në Finlandë s’janë vetëm shqiptarë, ka finlandezë dhe shtetas të ndryshëm. Ne na ka bërë përshtypje që ka grupe që kanë fokus dhe shitjen e drogëave sintetike. Deri tani kemi parë që ka patur kokainë, heroinë, marijuanë, është hera e parë të fokusuar edhe te droga sintetike. Janë sasi të mëdha se janë droga sintetike dhe lloji, madje kemi kapur edhe ekstazi dhe të gjithë e dimë rrezikun që paraqet pë konsumatorin këto lloj drogërash. Tipologjia ëhstë e tille, kishin bazat etyre në Finlandë dhe në mënyrë periodike dërgoinin shqiptarë që shkonin në baza dhe fillonin me shitjen. Bashkëpunimi ka qenë shumë intenstiv.” – tha Dumani. Versus.al
Operacioni i përbashkët me Finlandën, SPAK: 9 të arrestuar në Shqipëri! Sekuestruam makina e celularë
Prokuroria e Posaçme ka zhvilluar një konferencë të përbashkët me autoritetet e Finlandës sa i takon dhënies së informacionit për goditjen e grupit kriminal shqiptar që trafikonte drogë në vendet nordike.
Mësohet se në Shqipëri u lëshuan në total 11 urdhër-arreste, prej të cilëve janë zbatuar 9. Ndërsa vijon puna për kapjen e dy personave të tjerë. Bashkangjitur me hetimin për aktivitetin e trafikut të drogës, po vijon edhe hetimi pasuror për personat e përfshirë në aktivitet kriminal.
“Menjëherë nga ana jonë, janë nxjerrë urdhrat e ekzekutimit duke ngarkuar agjentët e BKH dhe oficerët e policisë gjyqësore. Aksioni u zhvillua gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm. Në aksion morën pjesë edhe përfaqësues të policisë finlandeze.
Deri tani është bërë i mundur zbatimi i masës së sigurimit për 9 persona. Gjatë zbatimit të masave, u bë i mundur sekuestrimi i 8 automjeteve, telefona celularë dhe shumë dokumentave, një pjesë e konsiderueshme e tyre janë me vlerë për hetimin pasi ka të dhëna me aktivitetin kriminal të këtyre personave. Do të vijojë edhe hetimi pasuror për të gjithë personat e identifikuar”- u shpreh njëri prej prokurorëve të SPAK. Versus.al
Shqiptarët, “truri” i rrjeteve ndërkombëtare të drogës! Çfarë u sekuestrua nga operacioni Finlandë-SPAK

Një operacion ndërkombëtar i nisur dy vite më parë në Finlandë ka çuar në goditjen e një rrjeti të gjerë trafiku droge, ku shqiptarët rezultojnë të jenë organizatorët kryesorë. Hetimi, i zhvilluar në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme SPAK, ka çuar në arrestimin e 55 personave dhe sekuestrimin e një sasie të madhe narkotikësh.
Sipas autoriteteve finlandeze, nga operacioni janë sekuestruar 300 kilogramë lëndë narkotike, të trafikuara kryesisht nga Spanja dhe Holanda. Nga kjo sasi, 170 kg ishin metamfetaminë, 10 kg kokainë, 100 kg marijuanë, ndërsa pjesa tjetër përbëhej nga tableta narkotike.
“Dua të përgëzoj të gjithë kolegët që morën pjesë në këtë operacion sot në mëngjes. Dua të përgëzoj SPAK për bashkëpunimin gjatë dy viteve të fundit. Dy vite më parë u ndërmor një hetim në shkallë të gjerë, u arrestuan 55 shtetas, u sekuestruan rreth 300 kg lëndë narkotike e trafikuar nga Spanja dhe Holanda. 170 kg amfetaminë, 10 kg kokainë, rreth 100 kg marihuanë dhe disa tableta lëndësh narkotike. Gjatë hetimeve në Finlandë, u bë e qartë se drejtuesit kryesorë të këtij trafiku ishin shtetas shqiptarë,” deklaroi një zyrtar i lartë i hetimit."- u shpreh komisari nga Finlanda.
Operacioni konsiderohet një nga goditjet më të mëdha ndaj trafikut ndërkombëtar të drogës me origjinë nga Ballkani, duke ekspozuar edhe një herë rolin qendror të rrjeteve shqiptare në qarkullimin e narkotikëve në Europën Veriore. Versus.al
Grupet shqiptare depërtojnë deri në Finlandë, SPAK njofton konferencë me autoritetet nordike
Prokuroria e Posaçme në bashkëpunim me autoritetet e Finlandës por edhe agjencitë e zbatimit të ligjit në Europë, ka kryer një operacion për goditjen e aktivitetit kriminal të trafikut të lëndëve narkotike. Mësohet se janë firmosur disa masa sigurie, ndërsa në orën 12:30 do të ketë një konferencë për mediat nga SPAK.
Më herët, SPAK pati një bashkëpunim me antimafian italiane për goditjen e grupit të trafikut të kokainës e heroinës që vinte nga Turqia e Amerika Latine e më pas nga porti i Durrësit shpërndahej në vende të ndryshme të Evropës.
Në kërkim u shpall Elvis Doçi i njohur si "Visi i Pojës" për shkak se është nipi i Xhevdet Troplinit, i cili akuzohet si kreu i një grupi kriminal të fuqishëm pavarësisht se ndaj tij nuk është lëshuar asnjë masë sigurie apo arresti. Versus.al







