Live Updates /

“S’mjaftojnë vetëm shqiptarët për paqe”, Rama mesazh Kurtit: Mos përdor politikën për vota

*Kryeministri Edi Rama u rikthye sot në Kosovë në kuadër të 25 vjetorit të çlirimit të vendit ku u prit nga presidentja Vjosa Osmani për të marrë pjesë më pas në konferencën e organizuar me temë “Rugova dhe Perëndimi”. *Gjatë kremtimit të 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës, mbajti fjalim në Kuvend edh eish-kryeministri britanik Tony Blair i cili tha se nëse do të kthehej pas në kohë, do të kishte bërë të njëjtin veprim dhe se nuk ishte penduar aspak për bombardimet e NATO-s në Kosovë. *Rama e cilësoi Ibrahim Rugovën si “gjeni” duke sjellë në vëmendje aftësitë e tij të ralla diplomatike të cilat i përdori për të ngritur lart çështjen e Kosovës. *Kreu i qeverisë pati edhe komente për udhëheqjen aktuale të Kosovës, duke thënë se duhet që Prishtina Zyrtare të fokusohet më shumë në arritjen e paqes afatgjatë sesa në një përplasje të vazhdueshme me Serbinë.

Shkruar nga B.V

Çfarë do të gjeni në brendësi

*Kryeministri Edi Rama u rikthye sot në Kosovë në kuadër të 25 vjetorit të çlirimit të vendit ku u prit nga presidentja Vjosa Osmani për të marrë pjesë më pas në konferencën e organizuar me temë “Rugova dhe Perëndimi”. *Gjatë kremtimit të 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës, mbajti fjalim në Kuvend edh eish-kryeministri britanik Tony Blair i cili tha se nëse do të kthehej pas në kohë, do të kishte bërë të njëjtin veprim dhe se nuk ishte penduar aspak për bombardimet e NATO-s në Kosovë. *Rama e cilësoi Ibrahim Rugovën si “gjeni” duke sjellë në vëmendje aftësitë e tij të ralla diplomatike të cilat i përdori për të ngritur lart çështjen e Kosovës. *Kreu i qeverisë pati edhe komente për udhëheqjen aktuale të Kosovës, duke thënë se duhet që Prishtina Zyrtare të fokusohet më shumë në arritjen e paqes afatgjatë sesa në një përplasje të vazhdueshme me Serbinë.

6 Postime
9 MUAJ ME PARE

E ka me Kurtin? Rama: Rugova, i vetmi në shtetin e Kosovës që dinte si arrihej paqja e plotë

“S’mjaftojnë vetëm shqiptarët për paqe”,
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama gjatë fjalimit që mbajti në konferencën me temë “Rugova dhe Perëndimi” në kuadër të 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës, ironizoi edhe kryeministrin Albin Kurtin.

Teksa fliste për karakteristikat e Rugovës, Rama tha se edhe sot mbetet i vetmi në shtetin e Kosovës që ishte i bindur se për paqja afatgjatë arrihet nga bashkëpunimi me popullsinë tjetër të vendit, serbët duke nënkuptuar edhe një adresim për Kurtin.

“Është shumë për të qarë hallin sikur sot pas shumë vitesh rugova mbetet i vetmi në këtë shtet që e dinte se të kesh paqe të plotë nuk do thotë thjesht të arrish një mungesë konflikti por të vendosësh drejtësi afatgjatë brenda dhe përtej kufijve. Rugova kishte kuptuar dhe një të vërtetë që shumëkush e gëlltit me vështirësi. Se për të realizuar një drejtësi afatgjatë, asnjë popull nuk është i mjaftueshëm. Nuk vlen bindja e atyre që na ndjekin me fanatizëm por edhe e kundërshtarëve. Ëndrra për t’I patur të gjitha për njëherë, jo rrallë shndërrohet në makthin e humbjes për breza të tërë”- tha Rama.

Ndër të tjera, ai tha se vendet e Ballkanit duhet të çojnë përpara nivelin e dialogut mes tyre në kuadër të paqes afatgjatë.

“Sot shtetet e ballkanit kanë shansin të çojnë përpara një nivel dialogu në kuadër të paqes. Kosova është një gur i rëndë në vend të vetë që askush nuk mund ta luajë nga vendi por duhet të zërë vend duke formësuar subjektivitetin e vetë ndërkombëtar. Ose pastaj hyjmë në rrugën që çon mbrapa dhe që dihet çfarë pasojash ka në këtë zonë të Evropës”- shtoi ai.

Ndërkohë, sot në 25 vjetorin e çlirimit, Rama u prit vetëm nga presidentja Vjosa Osmani ndërsa nuk pati asnjë takim me kryeministrin Albin Kurti. Versus.al

9 MUAJ ME PARE

25 vjetori i çlirimit të Kosovës, Rama: Ibrahim Rugova një gjeni! Pa të nuk do kishte patur kurrë UÇK

“S’mjaftojnë vetëm shqiptarët për paqe”,
Kryeministri Edi Rama

Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës së tij në Prishtinë në kuadër të 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës, ka marrë pjesë sot në konferencën “Rugova dhe Perëndimi”.

Ai e cilësoi presidentin e parë të Kosovës, Ibrahim Rugovën si “gjeni” i cili pritej në zyrat më të rëndësishme të botës asokohe ku parashtronte problemin e shqiptarëve të Kosovës të cilët vuanin nga pushtuesit serbë. 

Ndërsa theksoi më tej se pa luftën që Ibrahim Rugova kishte bërë nëpërmjet diplomacisë së tij, nuk do të kishte pasur Ushtri Çlirimtare të Kosovës. 

Pjesë nga fjala e Ramës:

Në 24 maj në 1992 të ashtuquajturat zgjedhje, ai u vetëshpall president i Kosovës për herë të parë. Pati guximin e gjeniut për të mos u vrarë. Ibrahim Rugovën pothuajse të gjithë e nënvlerësuan. Nuk besoj se ndonjë në ato fillime e kuptoi vërtetë atë që as ai vetë nuk e shihte si rrugë me dalje të sigurtë.

Forcën këmbëngulëse të ujit që gërryen gurin pa ngut, pa përplasje pa zhurmë duke ulur si gandi përballë kohës me një besim të verbër te aleanca me kohën. Presidenti i shpresës në mes të shtypjes së çdo shpresave kishte jetuar mes librave në rrethanave tejet të rënda për Kosovën ku pasioni për dijen e shkruar iu bë trualli ku iu zhvillua mirësia e intelektualit shpresëdhënës të popullit të vetë.

Në vitet ’90 ai themeloi LDK dhe ulet në kolltukun e arsyes brenda një kinemaje urrejtje. Një president pa pallat dhe pa komb që falë personalitetit të tij pritej në shtëpinë e bardhë, pritej në Londër, në Romë, në audiencë nga Papa Gjon Pali duke zgjeruar si një përrua shtratin e vetë dhe vëmendjen ndërkombëtare ndaj çështjes së Kosovës. Koka e tij që e mbante lart kur fliste me ta rrinte ulur këtu në Kosovë dhe gjuha e tij predikonte vetëm durim. Udhëheqja e Rugovës pati një aftësi shumë të rrallë për ta lidhur fatin e vendit të tij të panjohur me fatin e botës demokratike. Duke e kthyer në kapital çdo hap të gabuar të armiqve duke i dhënë Kosovës pasurinë e patundshme të miqve ndërkombëtarë.

Pa Ibrahim Rugovën nuk do kishte pasur kurrë UÇK. Sepse pa luftën që ai fitoi në paqe nuk do ishte arritur kurrë paqja e fituar me luftë. Versus.al

9 MUAJ ME PARE

Tony Blair në Kuvendin e Kosovës: S’pendohem për vendimin e bombardimeve ndaj Serbisë

“S’mjaftojnë vetëm shqiptarët për paqe”,
Ish-kryeministri britanik, Tony Blair në Kuvendin e Kosovës

Prishtinë- Ish-kryeministri britanik Tony Blari ka mbajtur sot një fjalim në Kuvendin e Kosovës në kuadër të 25 vjetorit të çlirimit të vendit nga pushtuesit serbë.

Blair i cili ishte ndër udhëheqësit e fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, tha se nuk pendohet kurrë për vendimin e marrë në 1999-ën.

“Është nder për mua të jem sot këtu dhe nuk mund t’ju falënderoj mjaftueshëm për mirëpritjen e ngrohtë. 25 vite më parë u arrit marrëveshja për çlirimin e territorit të Kosovës, dhe Kosova më fund ishte e lirë dhe populli ishin të lirë të jetojnë, shpresojnë e të besojnë sërish në një të ardhme të lirë… Ne ndihmuam dhe nuk pendohem kurrë”, u shpreh Blair ndër të tjera.

Ai solli në vëmendje negociatat që kishte bërë asokohe me liderë botërorë për vendimin e ndërhyrjes në Kosovë.

“Si kryeministër asokohe më kthehen shumë kujtime të negociatave me liderët botërorë dhe për kompleksitetin e vendimit në atë kohë lufte”- shtoi ish-kryeministri britanik.

Në përfundim të fjalës së tij, ai u bëri thirrje vendeve të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, që ta bëjnë sa më shpejt diçka të tillë. Versus.al

9 MUAJ ME PARE

25 vjetori i çlirimit të Kosovës, provokon media serbe: Le të valojë flamuri serb, me Aleksandrin komandant

“S’mjaftojnë vetëm shqiptarët për paqe”,

Nuk kanë munguar provokimet nga ana e mediave serbe me rastin e 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Media serbe TV Pink ka publikuar një këngë ku lavdërohej presidenti serb Aleksandër Vuçiç.

‘Të gjithë si një vëlla për një vëlla, me Aleksandrin komandant’ thuhet në tekstin e këngës.

Në sfond dëgjohet zëri i Vuçiçit, ku shprehet: Arra e fortë është frut i çuditshëm, mos e thyeni, por ia thyeni dhëmbët. Ne nuk kemi frikë nga askush, sepse Serbia e lirë dhe liridashëse nuk ka pse të frikësohet.

Tekst i poezisë vijon më pas:  Kosova është e dashur për zemër, e dini se çfarë ndodhi atje, nëna po qan, pret të kthehet djali nga larg. Le të valojë flamuri serb, beteja e ashpër, po luftohet tani të gjithë si një, vëlla me vëllanë, me Aleksandrin komandant.

 

Sot mbushen 25 vjet nga përfundimi i luftës së Kosovës, ku iu dha fund masakrave dhe gjenocidit serb mbi qytetarët e pafajshëm.

Dita e Çlirimit të Kosovës shënoi kthesën më të madhe në histori.

Më 12 qershor të vitit 1999 në Kosovë hynë rreth 50 mijë trupa të KFOR-it, nga 39 kombe të ndryshme të botës, të cilat ua rikthyen kosovarëve shpresën.

9 MUAJ ME PARE

“Bashkë për të shënuar momentet më të rëndësishme”, Osmani pret Ramën në presidencë

“S’mjaftojnë vetëm shqiptarët për paqe”,
Kryeministri Edi Rama dhe Vjosa Osmani në presidencën e Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në presidencë kryeministrin Edi Rama i cili ka mbërritur në Prishtinë në kuadër të 25 vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Osmani shkruan në facebook, se krerët e shteteve shqiptare duhet të jenë bashkë për të shënuar momentet më të rëndësishme për historinë e popullit.

“Bashkë, për t’i shënuar momentet më të rëndësishme të historisë së popullit tonë! Mirë se erdhe Kryeministër Rama!”- shkruan Osmani.

Ndërsa në agjendën e Ramës nuk është caktuar që të ketë një takim me kryeministrin Albin Kurti. Versus.al

9 MUAJ ME PARE

25 vjetori i çlirimit, Rama viziton Kosovën, pritet nga Osmani! S'ka takim me Kurtin

“S’mjaftojnë vetëm shqiptarët për paqe”,
Kryeministri Edi Rama, presidentja Vjosa Osmani dhe ish-kryeministri italian, Massimo D’Alema

Kryeministri Edi Rama, do të zhvillojë sot një vizitë në Kosovë me rastin e 25 vjetorit të bombardimeve të NATO-s ndaj Serbisë dhe çlirimit të Kosovës nga pushtuesit serbë. Fillimisht Rama do të zhvillojë një takim me presidenten Vjosa Osmani.

Më pas do të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare “Rrugova dhe Perëndimi”, në nder të përvjetorit që mbahet për trashëgiminë politike të presidentit Ibrahim Rugova si dhe të vendeve aleate që ndihmuan Kosovën.

Gjatë organizimeve, do të ketë edhe një Konferencë, pjesë e së cilës do të jetë edhe kryeministri Edi Rama dhe personalitete ndërkombëtare të mirënjohur për kontributin politi të dhënë në periudhën e luftës. Mes tyre do jenë edhe ish-kryeministri i Britanisë së Madhe Tony Blair dhe ish-kryeministri italian Massimo D’Alema.

Në vazhdim, do të pritet nga kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama i cili në një ceremony të posaçme, do t’i dorëzojë “Çelësin e Qytetit”. Ndërsa në përfundim, do të marrë pjesë edhe në çeljen e ekspozitës së veçantë “Reporting House”, një retrospektivë e fuqishme e mediave gjatë periudhës së luftës në Kosovë, ku përmes artefakteve të gazetarëve dhe veprave të artistëve, vizitorët do të njihen me historinë e luftës së viteve 1998-1999 dhe ndikimin e saj në dekadat që pasuan. Në agjendën e Ramës nuk parashikohet një takim me kryeministrin Albin Kurti. 

10 qershori i vitit 1999 shënon fundin e luftës në Kosovë dhe tërheqjen e trupave serbe, pas 78 ditë bombardimesh ajrore të NATO-s. Po me këtë datë Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi Rezolutën 1244, sipas së cilës në Kosovë u dërguan trupat paqeruajtëse të KFOR-it nga 36 vende.Versus.al

Poll