Çfarë do të gjeni në brendësi
*Gjykata Kushtetuese sot pezulloi dekretin e presidentit Bajram Begaj për zgjedhjet e parakohshme në Tiranë të planifikuara për t’u mbajtur më 9 nëntor. Në arsyetimin e dhënë thuhej se zbatimi i këtij dekreti do të sillte pasoja të pakthyeshme pasi aktualisht gjykata po shqyrtonte ankimin e bërë nga kryebashkiaku i shkarkuar Erion Veliaj kundër shkarkimit në këshillin bashkiak. *Pas këtij vendimi pati një reagim nga presidenca ku thuhej se respektonte vendimmarrjen e Kushtetueses. *Ndërsa Partia Socialiste nuk pati ndonjë habi të madhe dhe grupet e punës u urdhëruan që të vijonin me takimet sipas planifikimeve pavarësisht vendimit të Kushtetueses për pezullim në Tiranë. *Nga ana tjetër kandidati i pavarur, Florjan Binaj u shpreh se kurdo që të caktoheshin zgjedhjet në Tiranë, do të jetë gati për të marrë pjesë.
Pezulloi zgjedhjet në Tiranë, zbardhet arsyetimi i GJK kundër dekretit të Begajt: Do të sillte pasoja të pariparueshme
Gjykata Kushtetuese ka publikuar edhe arsyetimin e saj mbi pezullimin e dekretit të presidentit Bajram Begaj sa u takon zgjedhjeve për bashkinë e Tiranës, të planifikuara për t’u mbajtur më 9 nëntor.
Duke iu referuar kërkesës së dorëzuar nga kryebashkiaku i shkarkuar Erion Veliaj kundër vendimit të marrë me shumicë votash në këshillin bashkiak, gjykata thekson se Veliaj kishte dorëzuar edhe një kërkesë shtesë për shfuqizimin e dekretit të Begajt.
Në argumentimin e bërë, thuhet se nëse dekreti i Begajt për zgjedhjet në Tiranë do të zbatohej edhe pse çështja për shkarkimin e Veliajt është ende në shqyrtim, atëherë do të sillte pasoja të pakthyeshme në dëm të këtij të fundit.
Arsyetimi i Kushtetueses:
2.Në mbështetje të kërkesës për pezullim, kërkuesi ka pretenduar se, për sa kohë Kushtetuta i kadhënë Gjykatës kompetencën dhe përgjegjësinë për të garantuar të drejtën e organit të zgjedhur vendor ajo duhet të ndalojë pasojat e paligjshme që vijnë nga dekreti i Presidentit. Sipas tij, zbatimi i dekretit përpara se të shprehet Gjykata për ligjshmërinë e VKM-së që e ka shkarkuar atë nga detyra, rrezikon të prodhojë pasoja të rënda, të parikthyeshme, që prekin jo vetëm pozitën institucionale të të zgjedhurit vendor, por edhe interesat shtetërore, shoqërore dhe të qytetarëve. Kërkuesi ka pretenduar se pasojat e mundshme janë organizimi i zgjedhjeve në një bashki ku nuk ekziston vakanca juridike; shpenzimet e burimeve njerëzore e financiare për organizimin e zgjedhjeve; një proces zgjedhor i imponuar politikisht dhe kundër vullnetit të qytetarëve. Po sipas tij, në rast se nuk vendoset pezullimi, vendimi i Gjykatës nuk do të rivendosë situatën e mëparshme dhe pasojat do të ishin të pakthyeshme, duke u krijuar një precedent i rrezikshëm, zëvendësimi i të zgjedhurit vendor përpara se të vendoset vlefshmëria eshkarkimit.
3.Sipas nenit 45, pika 1, të ligjit nr. 8577/2000, të ndryshuar, Gjykata, kryesisht ose me kërkesë të palëve, kur vlerëson se zbatimi i ligjit ose aktit mund të sjellë pasoja që prekin interesa shtetërore, shoqërore ose të individëve, sipas rastit, me vendim të Mbledhjes së Gjyqtarëve ose në seancë plenare urdhëron pezullimin e tij. Sipas kësaj dispozite, së pari: subjekti që kërkon pezullimin e një akti duhet të provojë prekjen e interesave shtetërore, shoqërore ose të individëve, si dhe pasojat e pariparueshme që do të sjellë zbatimi i aktit; së dyti: shqyrtimi i kërkesës mund të bëhet nga Gjykata përpara ose në seancë plenare.
4.Mbledhja e Gjyqtarëve, pasi mori në shqyrtim pretendimet e kërkuesit në mbështetje të kërkesës për pezullim, vlerësoi se në rastin konkret ajo ndodhet në kushtet e parashikuara nga neni 45 i ligjit nr. 8577/2000. Në vlerësimin e Mbledhjes së Gjyqtarëve zbatimi i dekretit të Presidentit për zhvillimin e zgjedhjeve vendore vetëm për Bashkinë e Tiranës, do të sillte pasoja të pariparueshme në drejtim të të drejtave të të zgjedhurit vendor (kërkuesit), për sa kohë çështja gjyqësore për shkarkimin e tij është ende në shqyrtim.
PËR KËTO ARSYE, Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të nenit 45, pika 1, të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe nenit 27, të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës, njëzëri,VENDOSI:
1.Pezullimin e dekretit të Presidentit të Republikës së Shqipërisë nr. 350, datë 1.10.2025 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore për kryetar bashkie, për disa njësi të qeverisjes vendore” për pjesën që cakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë Tiranë.
Ndërkohë, data për zgjedhjet e parakohshme në 5 bashkitë e tjera, vijon të mbetet 9 nëntori. Versus.al
Zgjedhjet në Tiranë u pezulluan, presidenca: Respektojmë vendimin e Kushtetueses
Presidenca ka vendosur të respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e zgjedhjeve të parakohshme për bashkinë e Tiranës të cilat sipas dekretit të Begajt ishin planifikuar të mbaheshin më 9 nëntor të këtij viti njëjtë si në 5 bashkitë e tjera.
“Në përgjigje të interesit të mediave, ju bëjmë me dije se Institucioni i Presidentit të Republikës respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e pjesës që përcakton datën e zgjedhjeve vendore në Bashkinë e Tiranës të dekretit me nr.350, datë 01.10.2025”- thuhet në reagimin e shkurtër të presidencës.
Kujtojmë se Begaj u kritikua për dekretimin e zgjedhjeve ndërkohë që Kushtetuesja kishte marrë në shqyrtim ankimin e Veliajt kundër shkarkimit të tij nga posti i kryebashkiakut. Në një studio televizive ai pretendoi se ishte këshilluar me këshilltarët e tij mbi këtë dekret dhe se ishte i bindur që ishte gjëja e duhur për t’u bërë. Versus.al
Kushtetuesja pezulloi zgjedhjet për Tiranën, PS "e pashqetësuar": Vijojmë punën sipas planit
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që pezulloi zgjedhjet e 9 nëntorit për bashkinë e Tiranës, ka ardhur edhe reagimi i Partisë Socialiste. Mësohet se PS ka këshilluar strukturat e ngritura për zgjedhjet e pjesshme që të kenë në kujtesë takimet me grupet përkatëse duke lënë të kuptohet se nuk ka asnjë ndryshim në organizim pavarësisht se procesi aktualisht është pezulluar.
“Vazhdoni punen! Ju kujtoj për takimet e sipas grupeve përkatëse"- thuhet në mesazhin e PS.
Kujtojmë se socialistët do të kenë zëvendës kryeministren Belinda Ballukun si drejtuese politike për këto zgjedhje në Tiranë. Ndërsa ende nuk dihet sesi do të procedohet për shkak se Kushtetuesja njoftoi sot se procesi zgjedhor është zyrtarisht i pezulluar dhe se më 30 tetor do të shqyrtojë kërkesën e Veliajt kundër shkarkimit të tij nga posti i kryebashkiakut. Versus.al
GjK pezulloi dekretin e Presidentit për zgjedhjet në Tiranë, Florjan Binaj: Kurdo që të caktohet votimi...

Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullimin e zgjedhjeve të në Tiranë, Flori ka bërë një apel për qytetarët dhe mbështetësit e tij.
Në një postim në rrjetet sociale, ai thekson se zgjedhjet janë vetëm hapi i parë në rrugën për ndryshim dhe se, sapo të caktohet data e votimit, ai dhe ekipi i tij do të marrin pjesë me vizion dhe vullnet për ndryshim.
Ai fton qytetarët të punojnë çdo ditë për të ndërtuar besimin tek politika e ndershme, tek puna për qytetarët dhe tek ideja se pushteti duhet të shërbejë vetëm ata që e japin atë qytetarët.
Flori përfundon mesazhin me një mesazh motivues:
“Partia më e rëndësishme, partia më e fuqishme në botë është partia e qytetarëve.”
Ky postim i aktorit vjen pasi Gjykata Kushtetuese vendosi pezullimin e dekretit të presidentit Bajram Begaj përsa i takon zgjedhjeve të parakohshme të parashikuara për t'u mbajtur më 9 nëntor në bashkinë e Tiranës.
Postimi i plotë i Florjan Binajt:
Miqtë e mi,
Zgjedhjet e pritshme në Tiranë janë vetëm hapi i parë në rrugën e gjatë që po nisim.
Kurdo që të caktohet votimi, ne do të marrim pjesë me vizionin dhe vullnetin tonë për ndryshim.
Deri atëhere ju ftoj të punojmë çdo ditë për të ndezur në mendjet dhe zemrat e qytetarëve besimin tek politika e ndershme, tek politika e punës, besimin se pushteti buron nga qytetarët dhe duhet të punojë vetëm për qytetarët.
Partia më e rëndësishme, partia më e fuqishme në botë është partia e qytetarëve.
Flori./Versus.al
Gjykata Kushtetuese pezullon dekretin e Bajram Begajt për zgjedhjet në Tiranë

Gjykata Kushtetuese ka vendosur pezullimin e dekretit të presidentit Bajram Begaj përsa i takon zgjedhjeve të parakohshme të parashikuara për t'u mbajtur më 9 nëntor në bashkinë e Tiranës.
Kushtetuesja u vu në lëvizje pas padisë së dytë të bërë nga kryebashkiaku i shkarkuar Erion Veliaj kundër dekretit të Begajt të cilin e konsideroi antikushtetues. Veliaj kërkonte që zgjedhjet në bashkinë e Tiranës të pezulloheshin deri në shqyrtimin e kërkesës së bërë më herët ndaj tij sa i takon shkarkimit nga qeveria.
Ndërkohë, gjykata do ta shqyrtojë kërkesën e Veliajt më datë 31 tetor. Masa e pezullimit të zgjedhjeve do të jetë e vlefshme vetëm për bashkinë e Tiranës, ndërsa për zgjedhjet e parakohshme në bashkitë e tjera, mbetet në fuqi data 9 nëntor.
Shkarkimi i Veliajt nga qeveria, u bë pasi këshilltarët bashkiakë të PS dhe PD votuan me unanimitet për ta hequr nga posti i kryebashkiakut me motivacionin se nuk ishte paraqitur në detyrë duke kryer kështu shkelje të rëndë. Dy ditë pas shkarkimit, Veliaj dorëzoi në Kushtetuese ankimin duke pretenduar se ai ka qenë në kushte arresti dhe kësisoj nuk ka patur sesi të paraqitej në detyrë.
Pavarësisht se marrja në shyqrtim e ankimit nga Gjykata Kushtetuese si rregull sjell pezullimin e procesit zgjedhor për Tiranën, Begaj vijoi dhe nxorri dekret për datën 9 nëntor duke u shprehur se Veliaj duhej ta kishte bërë ankimin në gjykatën administrative. Pas dekretit të Begajt, Veliaj dorëzoi sërish ankim dhe sot Kushtetuesja vendosi në favor të tij duke pezulluar zgjedhjet për Tiranën. Versus.al







