Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Bruksel ku merr pjesë në takimin e organizuar nga presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor. *Para nisjes së takimit me von der Leyen, Rama pati një konferencë të përbashkët me presidentin e Komitetit Ekonomik dhe Social në BE, Oliver Ropke gjatë së cilës njoftoi edhe firmosjen për krijimin e komitetit të përbashkët konsultativ që do të ketë një rol këshillues për vendet aspirante për anëtarësim në BE. *I pyetur nga gazetarët, Rama tha se tashmë BE është “zgjuar nga gjumi” dhe është në një fazë të re sa i takon përpjekjes së Ballkanit Perëndimor për të qenë pjesë e unionit, por shprehu keqardhjen që sipas tij u desh pushtimi rus në Ukrainë në mënyrë që Evropa të shihte me një vëmendje tjetër anëtarësimin e rajonit. *Por më tej kërkoi kalimin në një fazë tjetër të përpjekjeve për anëtarësim ku kërkoi që Shqipëria dhe vendet e rajonit të kenë të drejtën për të pasur një ekip në Parlamentin Europian si parapërgatitje për momentin e anëtarësimit të plotë. *Rama u pyet edhe nga një gazetare shqiptare e një medie greke lidhur me politikat e qeverisë për të rinjtë dhe u përgjigj duke lënë të kuptohet se të rinjtë duhet ta marrin në dorë vetë fatin e tyre dhe të mos presin që të bëhen politika për ta.
Gazetarja shqiptare e medias greke e pyet për të rinjtë, Rama: Mos të presin të bëjnë të tjerët plane për ta
Gjatë konferencës që pati për mediat së bashku me presidentin e Komitetit Ekonomik dhe Social në BE, Oliver Ropke, kryeministri Edi Rama u pyet nga një gazetare e medias greke lidhur me politikat e ndërmarra në favor të të rinjve të vendit tonë.
Gazetarja i theksoi kryeministrit se ishte shqiptare e rritur në Greqi dhe prandaj ishte e interesuar për këto politika. Nga ana tjetër, Rama u përgjigj duke marrë si shembull veten duke theksuar se kur ishte në moshë të re nuk i pëlqente që të tjerët t’i tregonin se çfarë duhet të bënte.
“Unë besoj se të gjithë të rinjtë nuk duhet të presin të rriturit të bëjnë plane për ta. Kur kam qenë në të njëjtën moshë si tënden unë e kisha shumë inat që më të mëdhenjtë të më tregonin se çfarë duhet të bëja”- u përgjigj kryeministri duke dhënë mesazhin se të rinjtë në Shqipëri duhet të veprojnë me vullnetin e tyre dhe jo të presin nga politika që të krijojë politika për ta. Versus.al
BE si Godoja? Rama: Ka kaluar në fazë tjetër, por u desh Putini për t’i zgjuar nga gjumi

“BE ndodhet në një periudhë tjetër sa i takon zgjerimit”. Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama para gazetarëve të cilët e pyetën nëse kishte ende të njëjtin mendim për Bashkimin Europian të cilin e krahasoi me “Godonë”, veprën e shkruar nga Samuel Beckett.
“Nuk e krahasova me Godonë por thashë se dukej si Samuel Beckett që po shkruan skenarin. Ky është moment tjetër, BE ka lëvizur nga të qenit Samuel Becketti dhe tashmë ndodhet në një periudhë të letërsisë romantike franceze. Por në këtë fazë ndihemi më mirë sesa ndiheshim në fazën e Samuel Beketit”- tha Rama.
Ai e cilësoi si sfidë kryesore që Shqipëria të dijë me çfarë të përballet në të ardhmen në prag të anëtarësimit në BE si dhe të analizojë ngjarjet e paparashikueshme që mund të ndodhin në këtë proces.
“Ka dy sfida, njëra është ajo që duhet të bëjmë ne për çfarë pritet prej nesh dhe sfida tjetër është me çfarë duhet të përballemi me të ardhmen, çfarë është e paparashikueshme. Sfida është të dimë sesi këto dy gjëra do bëhen bashkë në një moment të caktuar dhe në momentin kur ne do jemi gati të përfundojmë detyrat. Ndonjëherë ti i ke bërë detyrat por kati tjetër nuk është gati as të të presë. Të shpresojmë që yjet të jenë të linjëzuar në atë mënyrë që fati të jetë me ne”- shtoi kryeministri.
Më tej ai tha se që prej agresionit rus në Ukrainë, BE është bërë më e vëmendshme ndaj Ballkanit Perëndimor.
“Ka një ndryshim dramatik sa i përket kapaciteteve të BE-së për të dëgjuar. Që nga momenti që Putin i zgjoi fuqimisht me atë që ndodhi. Më vjen keq që u desh ai që BE të zgjohej por shpresoj që të mos i zërë gjumi në të ardhmen”- nënvizoi Rama.
Kreu i qeverisë ndodhet në Bruksel për një takim të thirrur nga presidentja e KE, Ursula Von der Leyen, ndërsa firmosi edhe krijimin e komitetit të Përbashkët Konsultativ që do të shërbejë për të këshilluar vendet e rajonit në rrugën drejt integrimit në BE. Versus.al
Rama në Bruksel, takohet me Ropke: Firmosëm krijimin e Komitetit të Përbashkët Konsultativ
Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Bruksel ku do të marrë pjesë në një takim të organizuar nga presidentja e Komosionit Evropian Ursula von Der Leyen me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Para takimit me von der Leyen, Rama pati një konferencë të përbashkët me presidentin e komitetit Ekonomik dhe Social në BE, Oliver Ropke. Gjatë fjalës së tij, kreu i qeverisë dha lajmin se Shqipëria ka firmosur sot për krijimin e komitetit të përbashkët konsultativ që do të shërbejë për këshillimin e vendeve kandidate të cilat aspirojnë integrimin në Bashkimin Europian.
“Është inkurajuese për ne fakti që kemi mundësi të firmosim procedurat e krijimit të komitetit të përbashkët konsultativ, provë kjo jo vetëm e angazhimit tonë por edhe e besimit të fortë që kemi që procesi i integrimit në BE nuk është thjesht një çështje që i përket vetëm qeverisë, por të gjithë qytetarëve. Do kemi një tryezë shumë të rëndësishme dialogun me komunitetin politik europian. Jemi të gatshëm të bëjmë çdo gjë që duhet për të përshpejtuar procesin e integrimit në BE.
Duke kuptuar nga lajmet se Brukseli ka zemër, ky është lajm i mirë. E mbyll fjalën time këtu duke shprehur mirënjohjen time për Oliverin për ekipin e tyre të shkëlqyer, për gjithçka që ata bëjnë”- u shpreh Rama duke theksuar kërkesën e tij që kjo nismë të zgjatet dhe të jetë e përhershme.
Nga ana tjetër vetë Ropke e konsideroi këtë si një ditë shumë të rëndësishme për Shqipërinë dhe vendet e rajonit.
“E sotmja është ditë e rëndësishme për Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor. Javën e kaluar udhëhoqa delegacionin në Tiranë dhe patëm shumë takime me ministrat shqiptarë dhe shoqërinë civile. Mesazhi që na përçuan ishte që duhet mbështetja jonë madhore për zgjerimin në mënyrë që Shqipëria të jetë anëtare e BE.
Jemi mirënjohës për mbështetjen që na jep personalisht presidentja e KE, Ursula von der Leyen. Anëtarësimi duhet të bazohet tek merita por duhet të ketë një përfshirje graduale e vendeve kandidate dhe pikërisht këtë kemi bërë ne”- deklaroi Ropke. Versus.al








