Çfarë do të gjeni në brendësi
*Drejtuesit e forcave të ndryshme politike që garojnë në zgjedhjet e 11 majit, kanë votuar në qendrat përkatëse të votimit të shoqëruar nga familjarë të tyre. *E para që votoi ishte kryeparlamentarja Elisa Spiropali e shoqëruar nga bashkëshorti i saj. Për mediat ajo u shpreh se duhet që qytetarët të marrin pjesë masivisht në votime. *Nga burgu i Fierit ku vuan dënimin, votoi edhe ish-deputeti i PD Ervin Salianji i cili u bëri thirrje qytetarëve duke u thënë se e vetmja zgjidhje për këtë situatë të vendit, është pjesëmarrja e lartë në votime. Ndërsa për kreun e PL Ilir Meta nuk u lejuan mediat në burgun “313’ edhe pse ishte njoftuar e kundërta. *Kreu i PD, Sali Berisha së bashku me gruan e tij Liri Berishën votoi në qendrën e votimit të shkollës “Kosova” nga ku u bëri thirrje qytetarëve që ta kthejnë 11 majin në një ditë të dytë vere. Ai nuk iu përgjigj pyetjes nëse do ta pranojë rezultatin e zgjedhjeve. *Monika Kryemadhi votoi së bashku me fëmijët e saj, ndërsa fjalën e mbajti djali Besart Meta i cili bëri fushatë për zgjedhjen e të atit si deputet. *Kryeministri Edi Rama votoi në shkollën “Ymer Lala” në Surrel ku tha se tashmë fjala i takon popullit. *Votuan edhe krerët e disa prej partive të reja, Agron Shehaj dhe Adriatik Lapaj të cilët bënë thirrje për pjesëmarrje masive në votime.
Tjetër arrestim për krime zgjedhore, një i ndaluar në Fier me urdhër të SPAK për korrupsion
Një tjetër goditje e rëndësishme në kuadër të luftës kundër krimeve zgjedhore ka ndodhur në Shqipëri. Policia ka arrestuar Pandeli Bozhën, i njohur ndryshe si Agim Brahimllari, pas një hetimi të udhëhequr nga SPAK-u. Ai dyshohet për kryerjen e veprës penale të "korrupsionit aktiv në zgjedhje".
Arrestimi i Bozhës është pjesë e një operacioni më të gjerë të koduar "EMRAT", i cili ka çuar në ndalimin e disa personave të tjerë të dyshuar për përfshirje në aktivitete të paligjshme gjatë procesit zgjedhor. Ky operacion ka për qëllim të adresojë dhe ndëshkojë çdo përpjekje për të manipuluar rezultatin e zgjedhjeve dhe për të garantuar integritetin e procesit demokratik.
SPAK-u ka theksuar rëndësinë e këtij hetimi dhe ka bërë thirrje për bashkëpunim nga qytetarët dhe institucionet për të luftuar korrupsionin zgjedhor.
Ky zhvillim vjen pas një serie operacionesh të ngjashme, ku janë arrestuar individë të dyshuar për përfshirje në korrupsion zgjedhor dhe aktivitete të tjera të paligjshme.
Numërohen 219 Qendra Votimi, ja se çfarë po ndodh mes partive
Procesi i numërimit të votave vijon, dhe të dhënat më të fundit zyrtare tregojnë një avantazh të ndjeshëm për Partinë Socialiste të Shqipërisë. Me 26,055 vota të grumbulluara deri tani, PS mban kryesimin me 53.46% të totalit, duke konfirmuar pozicionin e saj si forca politike dominuese në këtë fazë të hershme të numërimit.
Në vendin e dytë renditet Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore, i cili ka siguruar 16,843 vota, që përbëjnë 34.56% të totalit. Megjithëse diferenca është e konsiderueshme, gara mbetet e hapur në disa zona kyçe.
Subjektet e tjera politike vijojnë të garojnë për të kapur pragun elektoral, me këto rezultate paraprake:
Partia Socialdemokrate (PSD): 2,062 vota – 4.23%
Koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet”: 1,576 vota – 3.23%
Partia Mundësia: 1,022 vota – 2.10%
Lëvizja Bashkë: 519 vota – 1.06%
Partia Koalicioni Euroatlantik: 360 vota – 0.74%
Koalicioni Djathtas për Zhvillim: 120 vota – 0.25%
Partia Aleanca Kombëtare Shqiptare: 85 vota – 0.17%
Lëvizja Atdheu: 61 vota – 0.13%
Aleanca Demokracia e Re: 32 vota – 0.07%
Panorama elektorale tregon një fragmentim të theksuar të votës për subjektet e vogla, të cilat për momentin nuk arrijnë të kalojnë pragun përfaqësues, por mbeten faktorë potencialë në ekuilibrat politikë, sidomos në zonat urbane.
Procesi i numërimit vijon me ritëm, ndërsa priten zhvillime të tjera që mund të ndikojnë balancat përfundimtare.
Belinda Balluku “nuk lë votë pa parë” në Fier – PS në avantazh në kutitë e para
Zëvendës-kryeministrja Belinda Balluku ka “zbarkuar” në qendrat e numërimit në Fier, ku po ndjek nga afër e me intensitet procesin e numërimit të votave. Në rolin e saj si drejtuese politike e qarkut, Balluku nuk ka preferuar të qëndrojë në distancë, por është parë në këmbë, pranë tavolinave të numërimit, duke ndjekur çdo detaj me vëmendje të shtuar.
E shoqëruar nga disa bashkëpunëtorë, Balluku duket e angazhuar maksimalisht në këtë fazë të ndjeshme të zgjedhjeve, ku sytë janë drejtuar nga çdo fletë votimi që del nga kutitë.
Nga hapja e kutive të para në Fier, sinjalet janë të qarta: Partia Socialiste po avancon ndjeshëm ndaj Partisë Demokratike, duke dhënë shenja të një rezultati të favorshëm në këtë qark që konsiderohet tradicionalisht bastion i së majtës.
Atmosfera është e ngarkuar, tensioni i numërimit ndihet në ajër, por drejtuesit politikë janë të vendosur të mos lëshojnë terren – as në vota, as në prezencë. Balluku e ka bërë të qartë se është aty jo vetëm për të mbikëqyrur, por edhe për të dhënë mesazhin politik: PS nuk e lë Fierin pa fitore.
Nis numërimi i votave në Lushnjë, ja si si ndahen votat...
Ka nisur numërimi dhe në KZAZ 56 që administron 64 kutitë e votimit në Bashkinë Lushnjë.
Rezultatet në 4 kutitë e para të KZAZ nr. 55 të numëruara deri më tani në këtë bashki.
Rezultatet e tre kutive të para në KZAZ 55 Lushnjë:
Kutia 2811
PS 121 vota
PD 43 vota
Partia Mundësia 7 vota
Kutia 2803
PS 196 vota
PD 121 vota
Chris LaCivita publikon video: Ja si duket vjedhja e votave në Shqipëri
Strategu amerikan i fushatës së Partisë Demokratike, Chris LaCivita, ka publikuar një video në rrjetin social 'X', ku pretendon të dokumentojë një rast të dyshuar të vjedhjes së votave në Shqipëri. Në shkrimin e tij, LaCivita akuzon qeverinë e kryeministrit Edi Rama për përfshirje në këtë praktikë, duke e cilësuar atë si një "qeveri droge".
Here is what stealing votes looks like in Albania..courtesy of the narco govt of edie rama pic.twitter.com/jbS6ucVSyu
— Chris LaCivita (@ChrisLaCivita) May 11, 2025
Ai shkruan: "Ja si duket vjedhja e votave në Shqipëri... me bekim të qeverisë së drogës të Edi Ramës". Videoja është marrë nga një kanal televiziv shqiptar dhe tregon një person që transporton kutitë e votimit në një automjet, duke sugjeruar se ato mund të jenë manipuluar.
Ky publikim ka shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale dhe media, duke nxitur diskutime mbi integritetin e procesit zgjedhor në Shqipëri.
Të paraburgosur në qelitë e Durrësit, Veliaj, Beqaj dhe dy ish-deputetët e PS refuzojnë të votojnë me media
Kryebashkiaku Erion Veliaj, i arrestuar që prej 10 shkurtit të këtij viti ka refuzuar që të votojë në paraburgimin e Durrësit me praninë e mediave.
Të njëjtën kërkesë e kanë patur edhe socialistët e tjerë, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj, ish-deputeti Jurgis Çyrbja dhe ish-ligjvënësi tjetër Alqi Bllako.
I vetmi i burgosur “VIP” që votoi me praninë e kamerave ishte Ervin Salianji në burgun e Fierit. Ndërsa Ilir Meta u ankua për faktin se ndryshe nga sa ishte njoftuar, nuk u la të votonte me praninë e mediave në paraburgimin e ‘313-it. Versus.al
A do e njohë rezultatin e zgjedhjeve? Berisha: Votoni, sovrani sot jep verdikt historik
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha doli në një konferencë për mediat ku falenderoi të gjithë qytetarët të cilët kanë ardhur edhe nga jashtë vendit për të votuar, ndërsa bëri thirrje për pjesëmarrje edhe më masive në votime.
“Mirënjohja ime më e madhe është në mënyrë të pakufijshme ndaj tyre. Ata me votën e tyre i gjenden vendit dhe kombit në një moment nevoje shumë të madhe. Thirrja ime është për çdo shqiptar, voto, voto, voto për veten tënde, fëmijët e tu, të ardhmen tënde e të fëmijëve, për pensionet, rrogat e bizneset”- tha Berisha.
Sa i takon problematikave të raportuara në qendra të ndryshme votimi, Berisha tha se kushdo që shkel ligjin do mbajë përgjegjësi absolute.
Çdo gjë ka një vëzhgim kombëtar dhe ndërkombëtar. Secili që merr përsipër të shkelë ligjin në këtë proces, do bëhet përgjegjës në mënyrë absolute. Sot sovrani jep verdikt historik”- shtoi kreu i PD teksa nuk iu përgjigj drejtëpërdrejt pyetjes nëse do e njohë rezultatin.
“Nuk kanë lidhje këto. Unë them sovrani do japë verdikt historik. Por cili është ai që nuk i bindet historisë?”- e mbylli Berisha konferencën. Versus.al
Ilir Meta voton pa media te ‘313’-ta! PL reagon: U censurua fjala e tij me urdhër të Edi Ramës
Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i cili mbahet i paraburgosur prej tetorit të vitit të kaluar, ka votuar në burgun ‘313’, por pa praninë e mediave, ndryshe nga sa ishte njoftuar.
Lidhur me këtë fakt, ka reaguar sekretari i Përgjithshëm i PL, Tedi Blushi i cili tha se me urdhër të Edi Ramës nuk janë lejuar që mediat të jenë të pranishme për një prononcim të kreut të PL.
“Kjo censurë e qëllimshme dhe e urdhëruar nga narkoregjimi dëshmon tmerrin e Edi Ramës nga emri i Ilir Metës në fletën e votimit”- tha Blushi.
Më herët gjatë ditës së sotme votoi nga burgu i Fierit, Ervin Salianji i cili foli edhe për mediat. Versus.al
'Një ditë e mrekullueshme e demokracisë dhe përfaqësimit', Këlliçi thirrje qytetarëve: Votoni masivisht për ndryshim!

Zgjedhjet e 11 majit drejtuesi politik i qarkut të Tiranës, Belind Këlliçi e quan një ditë të mrekullueshme të demokracisë dhe përfaqësimit.
Me foto ku ai shfaqet duke votuar, Këlliçi u bën thirrje të gjithë qytetarëve të votojnë masivisht për ndryshimin.
Postimi i plotë i Belind Këlliçit:
Një ditë e mrekullueshme e demokracisë dhe përfaqësimit!
Ju bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të votojnë masivisht, të marrin pjesë në këtë festë të madhe të ndryshimit!
E mira triumfon! Votoni numrin 1
Votoni, Votoni, Votoni!/Versus.al
Rama voton së bashku me bashkëshorten në Surrel: Të presim çfarë do thotë populli
Kryeministri Edi Rama ka votuar sot në shkollën “Ymer Lala” në Surrel, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda Rama. Para gazetarëve shqiptarë nuk foli shumë, duke u shprehur shumë shkurt.
“Të presim çfarë do thotë populli”- tha Rama.
Ai nuk iu përgjigj pyetjes së bërë nga njëra prej gazetarëve e cila tha se me amnstimin e gjobave 2 ditë para zgjedhjeve, Rama ka shkelur kodin zgjedhor.
Më tej foli për disa prej mediave të huaja të pranishme për të ndjekur procesin para të cilëve tha se ky është një proces shumë i rëndësishëm në rrugën për ta bërë Shqipërinë pjesë të BE. Versus.al
Voton presidenti Begaj: Qytetarët të shprehin vullnetin pa presion! Fushata duhet të ishte takim idesh, pa bullizime
Presidenti Bajram Begaj dhe Zonja e Parë e vendit, votuan sot në qendrën e votimit të njësisë nr.3 në Tiranë në shkollën “Kongresi i Lushnjës”. Begaj u shpreh se zgjedhjet që mbahen sot kanë rëndësi të veçantë, ndërsa procesin e komentoi si të qetë.
“Zgjedhjet duhet të plotësojnë standartet më të mira, sot duhet të jetë ditë feste. Proceset zgjedhore janë shumë të rëndësishme për demokracinë. Është një proces i qetë, proceset zgjedhore janë të rëndësishme për vendin, kjo ditë e sotme ka një rëndësi të veçantë, kemi hapur negociatat për anëtarësimin në BE, për herë të parë voton diaspora, qytetarët duhet të shprehin vullnetin e tyre pa presion, po kështu duhet të jetë edhe procesi i administrimit dhe numërimit”- u shpreh Begaj.
Sa i takon etiketimeve dhe bullizimeve të përdorura gjatë fushatës, Begaj tha se duhej të ishin shmangur gjëra të tilla dhe se qëllimi duhet të ishte për parashtrimin e ideve.
“Në fushatën zgjedhore duhet të ketë takim idesh dhe programesh dhe në asnjë mënyrë nuk duhet të ketë gjuhë bullizuese sepse nuk është e mirë as për politikanët dhe as qytetarët"- shtoi presidenti në mbyllje të prononcimit për gazetarët. Versus.al
Kryemadhi voton dhe ia lë vendin të birit: Ai ka bërë fushatën më të madhe! Besart Meta: Ta kthejmë në ditë historike
Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi u paraqit sot për të votuar së bashku me 3 fëmijët dhe nënën e saj Fatime Kryemadhi.
Teksa tha se ndryshimi është i mundur për ata që e duan, Kryemadhi ia la fjalën djalit të saj Besart Metaj për të cilin tha se ka bërë fushatën më të madhe për të atin e arrestuar prej tetorit të vitit të kaluar, Ilir Meta.
“E vetmja mënyrë për të shpëtuar këtë demokraci të brishtë është të shkojmë të votojmë”- tha Kryemadhi, për t’ja kaluar fjalën të birit Besart Metaj.
Ky i fundit, u bëri thirrje të gjithëve që të dalin masivisht në votime për ta kthyer 11 majin në ditë historike.
“Në radhë të parë, ju falënderoj juve gazetarëve, sepse jeni ju që do të përcillni informacionin te qytetarët. Në radhë të dytë dhe kryesorja, do të kisha dëshirë t’u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të dalin të votojnë masivisht, që këtë ditë votimi, sot, ta kthejmë në një ditë historike”- tha djali i Monika dhe Ilir Metajt. Versus.al
“Pjesëmarrja masive, ilaç për shpëtim”, Salianji voton nga burgu i Fierit: Rama i sheh njerëzit si kavie
Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji ka votuar sot në burgun e Fierit ku edhe po vuan dënimin që prej tetorit të vitit të shkuar pasi u dënua me 1 vit burg për shpifje.
Pasi votoi, gjatë një deklarate për mediat u bëri thirrje shqiptarëve për pjesëmarrje massive duke thënë se kjo është e vetmja mënyrë që vendi të shpëtojë nga qeveria e korruptuar.
“Pjesëmarrja e madhe në votime është ilaçi për të shpëtuar Shqipërinë”- tha ai mes të tjerash.
“E thashë që ky është dënim politik, është hakmarrje personale. Njerëzit paguajnë në cirk për të parë shimpazetë. Ky është i vetmi shimpaze që del në shfaqje në gjithë vendin për t’i bërë të qeshin. Është për të ardhur keq që ky kryeministër i sheh njerëzit si kavje që mund t’i detyrojë t’i nënshtrohen vullnetit të tij personal’- shtoi Salianji duke theksuar se pasi të përfundojë dënimin do të jetë më aktiv në politikë. Versus.al
“Sigurisht që votova numrin 6”, Lapaj: Uroj të mos merret si fushatë, qytetarët të votojnë masivisht

Kryetari i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj ka votuar sot Shkollën e mesme të Ekonomikut në Tiranë. Si drejtues i partisë së re, Lapaj tha se ka votuar numrin që mban në listën e votimit, ndërsa shpresoi që kjo deklaratë e tij të mos merret si fushatë.
Mes të tjerash, u kërkoi qytetarëve që të dalin masivisht në votime.
“Sigurisht që votova numrin 6 uroj që të mos e marrë si fushatë është një ditë e bukur sot, besoj fort që vendi ka një mundësi reale për një ndryshim të madh, i uroj që të dalin në votime por të dalin masivisht në votime. Po e kanë ndryshuar, kam votuar në Sarandë, kështu që ka pasur ndryshime”- u shpreh Adriatik Lapaj. Versus.al
Voton kryeparlamentarja Elisa Spiropali, thirrja për qytetarët: Të tregojmë se jemi europianë me standarte

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ka votuar rreth orës 08:20 në qendrën e votimit në Tiranë, pranë parkut Olimpik.
Në dalje për mdiat, ajo pati edhe thirrje për qytetarët shqiptarë teksa kërkoi pjesëmarrje në votime dhe respektimin e standarteve europiane.
“Sot është dita e shtetit, e kombit. U bëj thirrje të gjithëve t’i bashkohen kësaj thirrje dhe të votojnë me qytetari. Të tregojmë se jemi europianë në mendje, zemër dhe standarte. Sa më shumë të votoni për Shqipërinë, aq më e mirë do jetë e ardhmja jonë”- u shpreh Spiropali. Versus.al







