Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kryesia e Partisë Socialiste konfirmoi sot kandidatët për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 9 nëntor në 6 bashki të vendit. Pas përfundimit të mbledhjes, kanë qenë drejtuesit politikë të qarqeve përkatëse ata të cilët kanë njoftuar kandidatët e përzgjedhur. *Për bashkinë e Vlorës e cila ka një rëndësi të veçantë për socialistët si bastion i së majtës, është caktuar si kandidate Brunilda Mersini, deputete aktuale e Kuvendit të Shqipërisë. Vendin e saj në Kuvend do ta zërë Briseida Cakërri e cila renditej pas saj në listën e 11 majit. *Në Tepelenë është zgjedhur si kandidat Gramoz Sako, ish-kreu i Gardës së Republikës i cili u dorëhoq nga shkurt të vitit 2024 për arsye ende të paditura. *Në Berat do të kandidojë Ervin Ceca, kryetari aktual në detyrë si dhe në Cërrik, Florenc Doka. Ndërsa në Mat, kandidati i socialistëve është Altin Dojni. Me emrat e konfirmuar sot, PS ka të plotë listën e kandidatëve për bashkitë ku do të zhvillohen zgjedhjet e pjesshme.
U dorëhoq vitin e kaluar nga kreu i Gardës, Gramoz Sako, kandidat i PS në Tepelenë
Mes emrave që surprizuan opinionin publik përsa i takon kandidaturave të PS në bashkitë ku do të mbahen zgjedhjet e parakohshme më 9 nëntor, ishte edhe Gramoz Sako, ish-shefi i Gardës së Republikës.
Më 3 shkurt të vitit të kaluar, Sako u dorëhoq nga posti i i kreut të Gardës dhe shkresa u firmos nga ministri i Brendshëm, asokohe Taulant Balla. Shkaqet e dorëheqjes së tij mbetën të paqarta, pasi u fol fillimisht për një ristrukturim të institucionit.
Ndërsa së fundmi, Sako u konfirmua si kandidat i PS për bashkinë e Tepelenës duke synuar të pasojë Tërmet Pecin i cili u zgjodh si deputet në zgjedhjet e 11 majit. Versus.al
Për herë të parë PS kandidon një grua për bashkinë e Vlorës, ja kush e zë vendin e Mersinit si deputete
Për herë të parë, Partia Socialiste ka vendosur që në garën për bashkinë e Vlorës të kandidojë një zonjë. Në zgjedhjet e pjesshme që do të mbahen më 9 nëntor, Brunilda Mersini do të jetë kandidatja e socialistëve duke lënë mandatin e deputetes që e mori më 11 maj.
Pritet që në Kuvend ta zëvendësojë Briseida Cakërri e cila renditej pas Mersinit në listën e kandidatëve të 11 majit. Më herët Mersini ka mbajtur postin e drejtoreshës së spitalit të Vlorës.
Që prej shpalljes së pavarësisë në 1912, në Vlore ka pasur 24 kryetarë bashkie, të gjithë burra, e kjo është hera e parë që i besohet gara për drejtimin e këtij qyteti një zonje. Versus.al
PS zyrtarizion kandidatët për zgjedhjet në 5 bashkitë e tjera, deputetja kandidon për Vlorën

Partia Socialiste tashmë e ka plotësuar gjashtëshen e kandidatëve që do të garojnë për kryebashkiakë në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 9 nëntor në 6 bashki të vendit.
Në Tiranë prej javësh ka konfirmuar kandidaturën e Ogerta Manastirliut. Ndërsa sot pas përfundimit të mbledhjes së kryesisë së PS, ministrat Mirela Kumbaro dhe Ervin Demo së bashku me drejtuesit politik të Vlorës, Dibrës dhe Elbasanit njoftuan emrat zyrtarë që do të kandidojnë në zgjedhjet e pjesshme.
Surprizë ishte emri i Brunilda Mersinit si kandidate për bashkinë e Vlorës. Aktualisht Mesini mban mandatin e deputetes së Partisë Socialiste që prej zgjedhjeve parlamentare të 11 majit.
Ndërkohë kandidatët e tjerë janë si në vijim: Gramoz Sako për bashkinë e Tepelenës, Altin Bojni për bashkinë e Matit, Ervin Ceca për Beratin dhe Florenc Doka për bashkinë e Cërrikut.
Kujtojmë se në 4 prej bashkive pati dorëheqje të kryebashkiakëve me urdhër të Ramës pasi u bënë deputetë të PS, ndërsa kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha u dorëhoq pas situatës në bashkinë e Vlorës. Tirana mbeti pa kryetar që prej 10 shkurtit të këtij viti kur agjentët e BKH arrestuan në zyrë Erion Veliajn.
Kryeministri Edi Rama teksa ka folur më herët për pritshmëritë e tij lidhur me zgjedhjet, ka shprehur bindjen për një ‘’hakmarrje’’ nga ana e patronazhistëve dhe rezultat edhe më të thellë në bashkitë ku do të ketë zgjedhje. Deri më tani, rivalët e opozitës, kanë konfirmuar vetëm mbështetjen për Florjan Binajn si kandidat të pavarur për bashkinë e Tiranës. Versus.al







