
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u shpreh se Kuvendi Kombëtar i kësaj force politike po zhvillohet nën frymën e ripërtëritjes dhe modernizimit të partisë.
Pas hedhjes së votës për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar, Berisha deklaroi për mediat se lista e kandidatëve përfaqëson një nivel të lartë përfaqësimi politik dhe profesional.
“Jam i bindur se këto lista përfaqësojnë një elitë të vërtetë politike të Shqipërisë, përfaqësojnë një ripërtëritje në frymën e këtij Kuvendi si Kuvendi i ripërtëritjes. Listat janë nga më dinjitozet. Natyrisht, shumësia e kandidaturave e bën të vështirë zgjedhjen, sepse ka kandidatura të shkëlqyera”, u shpreh Berisha.
I pyetur nëse procesi i ripërtëritjes do të kufizohet vetëm te Këshilli Kombëtar apo do të shtrihet edhe në strukturat e tjera drejtuese të Partisë Demokratike, kreu i PD-së tha se bëhet fjalë për një proces më të gjerë transformimi.
“Ripërtëritje do të thotë vizion, do të thotë modernitet i Partisë Demokratike dhe një organizim shumë më i fuqishëm”, deklaroi ai.
Berisha la të hapur mundësinë që ndryshimet të prekin edhe nivelet e tjera drejtuese të partisë, duke theksuar se përbërja e strukturave do të përcaktohet përmes votës.
“Vota i përcakton natyrisht, por sensi i ripërtëritjes është një fill i kuq që përshkon gjithçka”, tha Berisha.
Partia Demokratike po zhvillon procesin e zgjedhjes së anëtarëve të rinj të Këshillit Kombëtar, organ që më pas do të luajë një rol kyç në përzgjedhjen e strukturave të tjera drejtuese të partisë.

