Të ecësh rreth 7.000 hapa çdo ditë mund të ulë ndjeshëm rrezikun për një sërë sëmundjesh serioze shëndetësore, sipas një studimi të gjerë ndërkombëtar, i publikuar të enjten dhe i konsideruar si më i ploti deri më tani në këtë fushë.
Miti i 10.000 hapave dhe e vërteta shkencore
Objektivi prej 10.000 hapësh në ditë, që është bërë i njohur përmes aplikacioneve në telefonat inteligjentë, në fakt nuk bazohet në ndonjë provë mjekësore. Kjo shifër vjen nga një fushatë reklamuese japoneze e viteve 1960 për promovimin e një pedometri.
Çfarë thotë shkenca sot?
Për të vendosur një objektiv të mbështetur në të dhëna shkencore, një grup studiuesish ndërkombëtarë analizoi 57 studime që përfshinin gjithsej 160.000 persona. Rezultatet, të botuara në revistën shkencore The Lancet Public Health, tregojnë se ecja prej 7.000 hapësh në ditë ul me gati 50% rrezikun e vdekjes së parakohshme, krahasuar me ata që bëjnë vetëm 2.000 hapa në ditë.
Përfitime të prekshme për shëndetin
Studiuesit vënë në dukje edhe përfitime të tjera të rëndësishme:
38% ulje të rrezikut për demencë (humbje të kujtesës)
22% më pak rrezik për depresion
14% ulje të rrezikut për diabet
Gjithashtu, të ecurit mund të ndihmojë në reduktimin e rrezikut për kancer dhe për rrëzime, ndonëse për këto të fundit nevojiten ende më shumë prova.
Nuk ka nevojë për 10.000 hapa – mjaftojnë 7.000
“Nuk është e nevojshme të arrish 10.000 hapa në ditë për të përfituar ndjeshëm në shëndet,” – tha për AFP bashkautori i studimit, Paddy Dempsey, kërkues në Universitetin e Kembrixhit.
“Sapo arrin në 7.000 hapa, përfitimet më të mëdha ndodhin. Pas kësaj pike, ato fillojnë të stabilizohen,” – shtoi ai.
Nëse ritmi i ecjes ndryshon nga një person te tjetri, 7.000 hapa përkthehen në afërsisht një orë ecje në ditë një zakon i thjeshtë që mund të sjellë ndryshime të mëdha në mirëqenien tonë.







