Një adoleshent 13-vjeçar nga New Hampshire është kthyer në sensacionin më të ri të botës së peshkimit, pasi kapi një peshk gjuzë - halibut atlantik prej 177 paundësh (rreth 80 kg), më i rëndë se vetë ai.
Jackson Denio, nga qyteti Hampton, ishte në një ekspeditë peshkimi në thellësi të detit rreth 160 kilometra larg bregut të New England, kur ndodhi e papritura. I riu, që vetë peshon rreth 120 paund (54 kg) dhe është 5’9” (rreth 175 cm) i gjatë, e përshkroi momentin si një shpërthim emocionesh:
“Mendoj se bërtita nga emocionet, për të qenë i sinqertë. Nuk e di çfarë ndodhi saktësisht, por isha shumë i gëzuar,” tha ai për AP.
“Doja të kapja një peshkaqen…”
Denio ishte nisur në një udhëtim peshkimi gjatë natës me një grup prej rreth 30 personash, në një anije të kompanisë Al Gauron’s Deep Sea Fishing and Whale Watching. Pasi kapën mjaft pollok dhe peshq të tjerë, ai i kërkoi ekuipazhit diçka më ekstreme: “Dua të kap një peshkaqen.”
Ata i thanë të hidhte grepin në fund të detit. Pak minuta më vonë, Denio ndjeu një tërheqje të fortë. Çfarë ndoqi më pas, ishte një betejë 30-minutëshe me një "monstër" të detit.
Kapiteni: “Ai nuk u dorëzua kurrë”
“Nuk e la shkopin nga dora për asnjë moment. Nuk lejoi askënd ta prekte. Ai e nxori peshkun vetë, e lodhi derisa doli në sipërfaqe,” tha kapiteni i anijes, Jim Walsh.
Ndërsa peshku po afrohej, pasagjerët nisën të bërtisnin, të mallkonin nga habija, dhe të brohorisnin. Njëri madje bërtiti: “Jackson, ti je një engjëll me shpirt luftëtari!”
Sapo u shfaq përmasat reale të gjuzës, ekuipazhi nuk e besonte çfarë po shihte. "Ishte moment euforie për të gjithë," shtoi kapiteni Walsh.
Në pritje të një rekordi botëror
Shoqata Ndërkombëtare e Rekordeve të Peshkimit ende nuk ka konfirmuar nëse kapja e Jackson do të njihet si rekord botëror, por sipas faqes së tyre zyrtare, kategoria e meshkujve të rinj për halibut atlantik (gjuzën) rezulton bosh.
“Do të kthehem në det – dua diçka edhe më të madhe!”. Jackson tashmë është bërë i famshëm në mediat amerikane, por nuk ka ndërmend të ndalet: “Kjo më shtyn të vazhdoj edhe më shumë me peshkimin. Dua të provoj të kap diçka edhe më të madhe,” u shpreh 13-vjeçari me entuziazëm. / Versus /







