Shtatzënia është një periudhë që kërkon shumë kujdes dhe vëmendje, pasi zgjedhjet e nënës në pritje mund të ndikojnë nw mwnyrw vendimtare në shëndetin dhe zhvillimin e fëmijës së saj. Nga dieta te mënyra e jetesës, gjithçka luan një rol për të siguruar një zhvillim të shëndetshëm dhe të qetë të fetusit. Megjithatë, hulumtimi i ri zbulon një rrezik tjetër që mund të ketë pasoja afatgjata për fëmijët: pirja e duhanit gjatë shtatzënisë. Sipas gjetjeve, ky zakon mund të ulë performancën akademike të fëmijëve, duke vënë një “frenë” në rrugën e tyre shkollore në të ardhmen.
Pasojat e pirjes së duhanit para lindjes
Një rishikim sistematik i kryer nga Universiteti i Australisë Jugore, në bashkëpunim me Universitetin Curtin, Institutin SAHMRI, Universitetin e Harvardit dhe organe të tjera kërkimore ndërkombëtare, ka dalë me rezultate alarmante mbi efektet e pirjes së duhanit gjatë shtatzënisë. Në mënyrë të veçantë, nga 19 studime të shqyrtuara, që përfshinin gjithsej 1.25 milionë njerëz, 79% e studimeve raportuan reduktim të performancës akademike tek fëmijët e ekspozuar ndaj duhanpirjes nga nëna para lindjes.
Një meta-analizë shtesë e 8 studimeve parësore, me një kampion prej 723. 877 pjesëmarrësish, tregoi se fëmijët që ishin të ekspozuar ndaj duhanpirjes para lindjes së nënës kishin 49% më shumë gjasa të përjetonin probleme në sistemin arsimor në krahasim me fëmijët nënat e të cilëve nuk pinin duhan gjatë shtatzënisë.
Studiuesi kryesor i studimit, Dr Bereket Duko nga Universiteti i Australisë Jugore, thekson se pirja e duhanit gjatë shtatzënisë jo vetëm që ndikon në shëndetin e menjëhershëm të fëmijës, por mund të ketë pasoja afatgjata për zhvillimin akademik të fëmijës: "Për dekada, organizatat shëndetësore paralajmërojnë për rreziqet e pirjes së duhanit, megjithatë ky zakon vazhdon të përbëjë një kërcënim serioz për shëndetin publik. Hulumtimet tona tregojnë se pirja e duhanit para lindjes nuk ndikon vetëm në zhvillimin e fëmijës, por edhe në kursin e tyre arsimor, duke e vënë atë në disavantazh në krahasim me moshatarët e tyre”, thekson ai.
Përveç kësaj, ky hulumtim nxjerr në pah nevojën për informacion dhe edukim të mëtejshëm të prindërve të ardhshëm për rreziqet e pirjes së duhanit gjatë shtatzënisë. “Informacioni duhet të vazhdojë në një masë më të madhe për të siguruar që prindërit të kuptojnë plotësisht pasojat e zgjedhjeve të tyre gjatë shtatzënisë ”, shton Dr. Duko.
Efektet negative të pirjes së duhanit gjatë shtatzënisë mund të kufizojnë potencialin e fëmijëve dhe të ndikojnë në përparimin e tyre në shkollë dhe në jetë në përgjithësi, prandaj është e rëndësishme të forcohen përpjekjet e informacionit dhe parandalimit, duke siguruar që çdo fëmijë të ketë mundësinë të zhvillojë potencialin e tij që në momentin e parë të jetës së tij.







