
Deklaratat dhe tensionet nga shtëpia e Big Brother VIP 5 kanë kaluar edhe jashtë saj. Në një lidhje telefonike në emisionin “Fan Club”, babai i banores Selin, Toni Bollati, reagoi për herë të parë ndaj pretendimeve të bëra nga Rogerti në shtëpi, sipas të cilave ai ndodhej në burg.
I pyetur nga moderatorja Kiara Tito nëse i qëndron deklaratave të mëparshme për Mirin, Bollati u shpreh pa asnjë rezervë se nuk është penduar aspak dhe se nuk ka ndërmend të tërhiqet nga ato që ka thënë.
“Unë në këto momente ndodhem si kokrra e mollës, ashtu si ka thënë edhe vajza ime. Jam në Afrikë të Jugut. Jam shumë mirë, madje mund të bëjmë edhe video call që ta shikoni. Për deklaratën që kam bërë për Mirin nuk jam pishman zero. I qëndroj fjalëve të mia deri në vdekje”, u shpreh ai, duke shtuar se ka “neveri për atë person” dhe nuk dëshiron të flasë më për të.
Ai u ndal edhe te loja e vajzës së tij në shtëpinë e BBV, duke thënë se është krenar për mënyrën si ajo është sjellë me banorët e tjerë.
“Selin është njeri i besës. Nuk e nominoi Mirin deri sa pa të vërtetën. Ajo e mbajti besën që i dha në fillim të programit deri në momentin që kuptoi se ajo ishte keqpërdorur. Unë jam shumë krenar për vajzën time, e kam mbretëreshë”, tha Bollati.
Sa i përket Rogertit, babai i Selin tha se nuk e njeh dhe se nuk kishte dëgjuar kurrë për të para hyrjes së tij në Big Brother VIP. Ai mohoi kategorikisht edhe thashethemet se ndodhej në burg, duke sqaruar se një deklaratë e tillë ishte thjesht një sajesë.
“Rogertin nuk e njoh dhe nuk kam dëgjuar ndonjëherë për të. Kjo gjëja e burgut është një sajesë. Me të nuk e di nëse do më jepet mundësia të flas ndonjëherë, por nuk besoj se do takohemi”, u shpreh ai.
Megjithatë, Bollati kishte edhe një mesazh për familjen e Rogertit. Ai iu drejtua babait të tij duke thënë se ofendimet ndaj një vajze nuk kalohen lehtë dhe duhet të shihen seriozisht.
“Përmes jush i çoj fjalë babait të tij që ta shohë këtë punë sipas ligjeve dhe kanuneve. Kur e shan një vajzë mbi dy herë, ke ofenduar burrin, babanë, dajat dhe gjithë familjen e saj. Kaq kisha për këtë Rogertin”, deklaroi ai.
Debati nisi pasi Rogerti kishte thënë brenda shtëpisë se tezja e Selin i kishte treguar se babai i saj ndodhej në burg, një pretendim që u hodh poshtë menjëherë nga vetë banorja dhe tani edhe nga i ati.

