
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, shumë banorë dhe të huaj që jetojnë në Dubai po largohen nga qyteti pas sulmeve me dronë dhe raketa të Iranit në rajon. Si pasojë, organizatat për mbrojtjen e kafshëve dhe klinikat veterinare kanë raportuar një rritje të madhe të rasteve të braktisjes së kafshëve.
Strehimoret dhe grupet vullnetare thonë se janë të mbingarkuara me telefonata nga pronarë që kërkojnë të lënë kafshët e tyre ose të gjejnë shtëpi të reja për to.
Në disa raste, veterinerët kanë raportuar edhe kërkesa për eutanazi të kafshëve të shëndetshme, pasi pronarët nuk mund t’i marrin me vete gjatë largimit nga vendi.
Vullnetarët dhe aktivistët për të drejtat e kafshëve kanë treguar se në rrugët e qytetit janë gjetur qen të lidhur në shtylla, mace të lëna në kuti dhe kafshë të tjera të braktisura në parqe apo pranë strehimoreve.

Organizatat lokale paralajmërojnë se strehimoret janë pranë kapacitetit maksimal për shkak të numrit në rritje të kafshëve të lëna pas.
Kriza ka shkaktuar reagime të forta në rrjetet sociale dhe nga aktivistët për mbrojtjen e kafshëve, të cilët e kanë quajtur situatën “tragjike” dhe kanë bërë thirrje që pronarët të gjejnë alternativa si strehim i përkohshëm apo adoptime, në vend që t’i braktisin kafshët e tyre.
Në të njëjtën kohë, autoritetet dhe organizatat e shpëtimit në Dubai po përpiqen të koordinojnë adoptime dhe ndihmë për kafshët e braktisura, ndërsa kriza humanitare për to vazhdon të rritet./Versus.al


