MAGAZINË /

Baronesha i la 5 milionë euro trashëgimi, shqiptarja padit moderatorin e njohur italian

U quajt “diabolike” në emisionin “La Vita in Diretta”, 'badantja' shqiptare kallëzon Alberto Matano dhe gazetaren; Prokuroria kërkon pushimin e çështjes

Shkruar nga Versus

Baronesha i la 5 milionë euro trashëgimi, shqiptarja padit moderatorin

Një histori që ka tronditur opinionin publik në Itali vijon të mbajë në qendër të vëmendjes drejtësinë dhe median.  45-vjeçare A.S., me origjinë shqiptare, e dënuar me dy vite burg për “shfrytëzim të paaftësisë mendore”, ka kallëzuar për shpifje të rënduar moderatorin e njohur televiziv Alberto Matano dhe gazetaren Barbara Di Palma, pas një shërbimi televiziv ku ajo u cilësua si “diabolike”.

Kujdestarja shqiptare u shpall fajtore në nëntor të vitit të kaluar, pasi sipas gjykatës kishte përfituar nga rënia mendore e baroneshës Maria Malfatti, e ndarë nga jeta më 31 tetor 2023 në moshën 87-vjeçare, duke e bindur ta shpallte trashëgimtare universale. Pasuria e lënë trashëgimi vlerësohet rreth 5 milionë euro. Akuza u mbështet edhe nga nëntë nipërit e baroneshës, të cilët u paraqitën si palë civile në proces.

Rasti u trajtua në emisionin “La Vita in Diretta” më 16 prill, në një kohë kur gjykimi ishte ende në zhvillim. Gjatë transmetimit, 'badantja' u përshkrua nga moderatori dhe gazetarja si “diabolike”, ndërsa u hodh edhe hipoteza se ajo mund të ishte pjesë e një organizate mashtruese. Pikërisht këto cilësime përbëjnë thelbin e kallëzimit penal për shpifje të rënduar.

Megjithatë, më 25 qershor, Prokuroria e Roveretos kërkoi arkivimin e çështjes ndaj dy gazetarëve, duke argumentuar se bëhej fjalë për një rindërtim gazetaresk pa qëllim fyes apo denigrues. Sipas mbrojtjes së Matano dhe Di Palma, termi “diabolike” i referohej sjelljeve të dyshuara si dinake dhe manipuluese, në përputhje me faktet e trajtuara në proces.

Shqiptarja nuk është tërhequr. Përmes avokatit të saj, Nicola Canestrini, ajo ka paraqitur kundërshtim ndaj kërkesës për arkivim, duke theksuar se termi i përdorur nuk përshkruante veprime, por personalitetin e saj, duke e etiketuar si “malinje dhe perverse”. Sipas mbrojtjes, pretendimi për përfshirje në një organizatë kriminale është një hamendësim i pabazuar, i cili nuk është ngritur asnjëherë nga Prokuroria gjatë hetimeve.

Dosja tashmë ndodhet në duart e gjyqtarit të seancës paraprake, i cili pritet të vendosë në ditët në vijim nëse do të pranojë kërkesën për hetime të mëtejshme apo do të urdhërojë ngritjen e detyrueshme të akuzës ndaj dy gazetarëve. /VERSUS 

 

Poll