DJ Dagz, me emrin e vërtetë Arbër Gumnishta, është përlotur gjatë një interviste emocionale në emisionin “Libero” me Resul Sinanin në ATV, ku për herë të parë tregoi historinë pas emrit të djalit të tij të dytë, Kres.
Në një rrëfim të ndjerë, Dagz zbuloi se ideja për emrin “Kres” ka qenë një zgjedhje e veçantë e partneres së tij, Einxhel Shkira, e cila kishte kërkuar edhe ndihmën e inteligjencës artificiale për të thelluar kuptimin e tij.
“Einxhi ishte duke biseduar me ChatGPT për emrin Kres, por përgjigjja s’i pëlqeu. Iu tha që është një emër sllav, pa ndonjë lidhje me rrënjë shqiptare. Dhe si gjithmonë, Einxhi nuk e la me aq,” – tregoi Dagz.
Sipas tij, Einxhel i sqaroi sistemit që Kres në kuptimin e saj përfaqëson kokën, liderin, drejtuesin – pra një figurë qëndrore dhe me peshë. Pas shpjegimeve të saj, thotë Dagz, edhe ChatGPT “u bind dhe kërkoi falje”.
Ky moment, përtej humorit, theksoi për çiftin rëndësinë që ka identiteti dhe simbolika pas një emri, sidomos kur bëhet fjalë për fëmijët e tyre.
Në fund të bisedës, DJ Dagz nuk i përmbajti emocionet kur foli për familjen që ka krijuar me Einxhelin dhe dy djemtë e tyre:
“Të gjitha sakrificat, të gjitha rrezikimet… të gjitha kanë ndodhur për këta.”
Ndërsa në ekran shfaqeshin foto të familjes së tyre të lumtur, ai kujtoi se kur hyri në Big Brother VIP nuk e kishte menduar kurrë se do dilte nga aty jo vetëm me një dashuri, por edhe me një familje të re.
“Ishim shumë të vendosur që mos të krijonim lidhje aty brenda… por jeta di të befasojë në mënyrën më të bukur.”
Një intervistë që preku shumë zemra, dhe që tregoi një tjetër anë të Dagz – atë të një babai krenar dhe një njeriu të thjeshtë që e çmon thellësisht familjen.







