
Familja e Alba Pollozhanit ka reaguar përmes një postimi në Instagram me një deklaratë të gjatë, lidhur me situatat e krijuara brenda formatit ku ajo është pjesë, si edhe me komentet dhe gjykimet e shumta nga publiku.
Në reagim, familja shpreh mbështetje të plotë dhe besim të palëkundur në forcën, karakterin dhe veprimet e Albës, duke theksuar se ajo ka qenë gjithmonë autentike dhe 100 për qind vetvetja në çdo situatë. Sipas tyre, çdo vendim që Alba merr do të respektohet dhe mbështetet, pavarësisht mënyrës se si ka rrjedhur loja brenda formatit.
Familja e cilëson të padrejtë dhe absurde gjykimin e situatave personale nga publiku, duke theksuar se formati ku ajo merr pjesë nuk ka karakter edukativ dhe se situata të tilla ndodhin edhe në jetën reale, jashtë kamerave.
Në deklaratë bëhet apel për empati dhe mirëkuptim, duke kujtuar se askush nuk e njeh plotësisht realitetin dhe ndjenjat e atyre që po i përjetojnë këto situata nga brenda.
“Çdo familje ka persona që gabojnë dhe bëjnë veprime që nuk arrijnë gjithmonë t’i kontrollojnë, por askush nuk ka të drejtë të gjykojë mënyrën se si dikush zgjedh ta jetojë jetën e vet”, thuhet ndër të tjera në reagim.
Po ashtu, familja dënon ashpër komentet ofenduese, bullizuese dhe denigruese, duke theksuar se këto sjellje nuk pasqyrojnë vlerat e një shoqërie të shëndetshme dhe se secili duhet të mbajë përgjegjësi për fjalët që përdor.
Në reagim nënvizohet gjithashtu se Alba nuk i jep llogari askujt për jetën e saj personale dhe se, ndonëse tradhtia dhe dhuna ndodhin edhe jashtë formatit, ato nuk duhet të normalizohen.
Në përfundim, familja falënderon të gjithë ata që e kanë mbështetur Albën gjatë rrugëtimit të saj, duke i konsideruar këtë mbështetje si motivimin kryesor për veprime të mira dhe për një jetë më të mirë.
“Ju jeni arsyeja pse Alba është në finale”, përfundon mesazhi i familjes.


