Në Formula 1 në vitin 2026 do të garojnë 22 makina dhe jo 20 sepse F1 ka pranuar propozimin e General Motors për të formuar një ekip të njëmbëdhjetë me emrin Cadillac.
Këtë të hënë u shpall marrëveshja dhe ekipi i ri do të duhet të gjejë një partner motori dhe do të duhet të negociojë me prodhuesit aktualë (Mercedes, Ferrari, Red Bull-Ford, Honda ose Audi). Marrëveshja përfshin një angazhim nga General Motors për të prodhuar motorin e vet më vonë. Nga sa dihet deri tani drejtor i projektit do të jetë Mario Andretti, kampioni i fundit amerikan i F1 (1978). Dhe skuadra do të ketë selinë në Indiana, Charlotte, Michigan dhe Silverstone.
“F1 ka mbajtur një dialog me General Motors dhe partnerët e tij TWG Global për të studiuar qëndrueshmërinë e një pjesëmarrjeje të re sipas kritereve tregtare dhe vendimit që F1 mori në janar 2024 (kur propozimi i Andretti u refuzua). Gjatë vitit, ata kanë arritur objektivat operacionale dhe kanë bërë të qartë angazhimin e tyre për të riemërtuar ekipin e ri GM/Cadillac, dhe se GM do të hyjë si furnizues i motorëve më vonë”, thuhet në deklaratë.
Presidenti i FIA-s, Mohammed Ben Sulayem, i cili ishte një nga promotorët kryesorë fillestarë të këtij propozimi, siguron: “Është një nga markat më të mëdha në industrinë e automobilave dhe ata punojnë me partnerë të mëdhenj. Unë mbështes përpjekjet e bëra nga FIA, F1 dhe GM në drejtim të dialogut për të arritur këtë marrëveshje dhe për të inkorporuar një ekip në vitin 2026. Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku në mënyrë që procesi të përparojë siç duhet.”
Cadillac nuk ka konkurruar kurrë zyrtarisht në F1, por ka një prani në motorsportet në Shtetet e Bashkuara. Ata fituan 24 Orët e Dajtonës katër herë ndërmjet 2017 dhe 2020 (në vitin 2018 me Alonson duke drejtuar prototipin Wayne Taylor Racing). Që nga viti 2023, ata kanë konkurruar në Lë Mansh dhe WEC me V-LMDh, një prototip i klasit kryesor.