MAGAZINË /

HISTORI / Kur një "i çmendur" i solli Shqipërisë 52 vite më parë Medalje Ari në Olimpiadë

Kishte dhe nga ata që kërkonin që kampioni Ymer Pampuri të mos shkonte në Olimpiadën e Mynihut në 1972, pasi sipas tyre ai nuk ishte mirë mendërisht.

Shkruar nga Versus

HISTORI / Kur një "i çmendur" i solli Shqipërisë

52 vjet më parë, më 29 gusht 1972 në Munih, Ymer Pampuri thyente Rekordin Olimpik në peshëngritje dhe bëhej Kampion i Botës.

Në moshën 27-vjeçare, peshëngritësi i “17 nëntorit” të Tiranës theu në Gjermani rekordin olimpik të Yoshinobu Miyake të Japonisë në stilin e forcës. Gara u zhvillua më 29 gusht 1972 dhe Ymer Pampuri arriti të ngrinte 127,5 kilogramë. 

Në vitin 1972, kur Ymer Pampuri dhe trajneri i tij, Zydi Mazreku, deklaruan para nisjes në Olimpiadën e Munihut se do të shkonin në Gjermani për të marrë medalje, shumë nga drejtuesit e sportit shqiptar në atë kohë qeshën. Deklarata e Pampurit dhe trajnerit të tij u bë objekt debati nga shumë funksionarë në Ministrinë e Rinisë dhe Sportit. Kishte dhe nga ata që kërkonin që Pampuri të mos shkonte, pasi sipas tyre ai nuk ishte mirë mendërisht. Edhe pse më parë kishte arritur rezultate të mira, askush nuk mendonte se një sportist shqiptar mund të merrte medalje në Munih, apo të vendoste rekorde që ende sot nuk janë thyer. “Unë kisha bërë një përgatitje të mirë fizike dhe teknike, dhe së bashku me trajnerin kishim besim”, - tregonte vite më parë Pampuri.

Drejtuesit e sportit mendonin se kjo deklaratë e imja ishte vetëm një lajthitje e mendjes. Madje më quajtën edhe të çmenduar dhe për këtë kërkuan që para se të nisesha në Gjermani të bëja dhe një vizitë te mjeku neurologë. Së bashku me trajnerin shkuam te mjeku Bajram Preza, ku iu nënshtrova disa vizitave mjekësore. Në përfundim doktor Preza tha se isha shëndoshë e mirë dhe mund të merrja pjesë në Olimpiadën e Munihut. Shkuam në Olimpiadë dhe arrita të merrja medalje”, rrëfente kampioni i Botës, Ymer Pampuri.

Ymer Pampuri fillimisht ka pasur një pasion për cirkun. Në moshën 7-vjeçare pasioni i tij ka qenë cirku, por më pas do të bëhej peshëngritja. E ka zbuluar për herë të parë talentin e Ymerit në peshëngritje, Telat Agolli, i cili mandej e mori Ymerin në palestër dhe nisi ta stërviste. Nuk ishte më shumë se 20 vjeç, kur u shpall për herë të parë kampion kombëtar me peshën 120 kilogramë. Në 1972 Ymer Pampuri do të përfaqësonte Shqipërinë në Kampionatin Evropian që u organizua në Rumani. Ishin në përgjithësi sportistë dhe trajnerë pa përvojë të madhe. Shqipëria prezantohej aty për herë të parë. U shpall nënkampionë me peshën 125 kilogramë, e njëjtë me atë të vendit të parë, por mandej pesha trupore bëri diferencën. Në të njëjtin vit merr pjesë në Lojërat Olimpike që zhvilloheshin në qytetin e Mynihut.

Ymer Pampuri u nda nga jeta më 18 janar 2017.

 

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: