
Ish-sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Bekim Balaj, në prag të ndeshjes me Serbinë ka ndarë përjetimet nga rikujtimi i përballjes në tetor të 2014-ës në Beograd.
Ai tha se Shqipëria ka një grup lojtarësh të cilët janë të aftë të bëjnë diferencën dhe të sigurojnë shans për kualifikimin në Botërorin 2026. Mes të tjerash, këshilloi lojtarët e ekipit që të përpiqen të ruajnë gjakftohtësinë.
"Ajo (sfida në Beograd) është një ndeshje që mbetet në memorien e të gjithëve. Për rrethanat që ishin në atë takim, të gjithë bënë maksimumin dhe nuk na mungoi asgjë për të mbrojtur simbolet tona.
Në ndeshjen e radhës kemi shanse për kualifikimin madhor në Botëror dhe Serbia është rivali ynë direkt. Kjo është një ëndërr për të gjithë shqiptarët dhe ky grup futbollistësh ka forcën për ta bërë realitet këtë.
Për ndeshjen në Tiranë djemtë duhet të jenë gjakftohtë, të ruajnë qetësinë dhe mos ndikohen nga atmosfera në shkallët e stadiumit, pasi ngarkesa emocionale është e madhe për një ndeshje të tillë. Një fitore do na vlente shumë", tha Balaj.
Sulmuesi shkodran ishte njëri prej lojtarëve që u dhunuan nga huliganët serbë që hynë në fushë gjatë ndeshjes që u luajt në Beograd për kualifikueset e europianit 2016. Versus.al







