Mediat serbe i kanë kushtuar vëmëndje të vijueshme sot përballjës së ekipit të tyre të futbollit me kuqezinjtë në Air Albania. Ja se çfarë shkruan Blic.rs për përkthyesin shqiptar të konferencës për shtyp të trajnierit serb.
SHKRIMI
Dragan Stojković, i njohur si Piksi, u prit si një yll i madh në Tiranë, përpara ndeshjes mes Shqipërisë dhe Serbisë që do të luhet të shtunën në orën 20:45. Shumë përfaqësues të mediave shqiptare ishin të pranishëm në konferencën për shtyp, ku trajneri i përfaqësueses së Serbisë surprizoi të gjithë duke folur disa fjalë në shqip dhe duke uruar Bajramin.
Por në gjithë këtë atmosferë, u veçua një moment i veçantë – një takim pas 41 vitesh mes Piksit dhe Pleurat Himadunës, një shqiptar që në kohën e Jugosllavisë ka shërbyer në ushtri në Prishtinë, njëherazi edhe përkthyes në konferencën për shtyp të trajnerit serb para ndeshjes në stadiumin “Air Albania”.
Para se të zinte vend në podium, Piksi u përqafua ngrohtësisht me Pleuratin, i befasuar që përkrah tij ndodhej pikërisht ai – një mik nga rinia, nga ditët e shërbimit ushtarak. Ky takim emocionues ishte një arsye më shumë për të ndarë një histori të veçantë me njeriun që ndoshta do të jetë i vetmi shqiptar që do të mbajë anën e Serbisë, për hir të Piksit.
“U përshëndetëm shumë ngrohtë,” tregoi Pleurati. “Piksi ka qenë në ushtri në Prishtinë bashkë me këngëtarin Alen Slavica. Jemi shoqëruar shumë atëherë dhe madje unë kam qenë ai që i propozova Alenit të përfaqësonte Kosovën në Eurovision. Kalonim kohë cilësore bashkë me Piksin dhe prindërit e tij. Ishte krejt normale që pas kaq shumë vitesh të përqafoheshim.”
Në vitin 1984, Piksi kishte ardhur në Prishtinë si futbollist i ri, me medalje bronzi nga Lojërat Olimpike në Los Anxhelos. Ndërkohë, Himaduna punonte si producent televiziv në TV Prishtina.
Ai kujton gjithçka me saktësi: “Ishte djalë i mirë, i edukuar. Edhe prindërit e tij ishin njerëz të mrekullueshëm. Në atë kohë, ishte normale të thirreshe në ushtri. Kishte përkrahje të madhe nga oficerët, ndaj u vendos që të shërbente në Prishtinë.”
Sipas tij, Piksi ishte shumë i dashur për të gjithë në Prishtinë dhe, falë talentit të tij, gëzonte disa privilegje.
“Piksi ishte shumë popullor, një yll në formim. Kishte privilegje, mysafirë, leje... në atë kohë i kishim të gjithë ato, edhe gazetarët. Mos u çuditni. U shoqëruam për një vit, aq sa na lejonin detyrimet. Mund të dilte pak në qytet, jo shumë, sepse ishte disiplinë, por ishte i edukuar.”
Si e shohin sot në Shqipëri?
“Si një futbollist të shkëlqyer. Jam befasuar sa shumë njohuri kanë shqiptarët për sportin në përgjithësi – futboll, basketboll, tenis… Gjithçka,” thotë ai.
Për ndeshjen Shqipëri – Serbi ka një interes të jashtëzakonshëm, stadiumi do të jetë i mbushur plot dhe janë marrë masa të rrepta sigurie për të shmangur çdo incident.
“Nuk dihet gjë për biletat, të gjithë ankohen. Atmosfera është e mrekullueshme. Këtu nuk ka Dinamo-Hajduk apo Partizan-Zvezda, shqiptarët nuk janë mësuar me rivalitete të tilla. Të gjithë mbështesin Kombëtaren. Nuk pres ndonjë incident – gjithçka do të shkojë normalisht,” thotë Himaduna.
E vetmja gjë që i pengon janë tensionet e shtuara artificialisht...
“Është bërë qëllimisht, nga të dyja anët, për shkak të klimës politike dhe disa ngjarjeve të sajuara. Por duhet ta them qartë: asnjë incident nuk ka ndodhur ndaj makinave me targa serbe që kanë ardhur për pushime, apo ndaj kompanive që bashkëpunojnë me shqiptarët – dhe janë të shumta. Nuk e kuptoj pse ka kaq shumë eufori.”
Në fund, e pyetëm nëse do të jetë i pranishëm në stadium. Përgjigja e tij ishte e veçantë:
“Për këtë arsye nuk do të vij të shoh ndeshjen. Më kuptoni…” – tha me të qeshur Pleurat Himaduna.







