
Familja e këngëtarit të ndjerë, Shpat Kasapi, ka njoftuar se Igli Tare, drejtori sportiv i Milanit, ka qenë personi kyç që bëri të mundur rikthimin e trupit të Shpatit në Maqedoninë e Veriut brenda pak ditësh.
Tare ndërhyri personalisht për të përshpejtuar procedurat komplekse ligjore që lidhen me raste të tilla në Itali.
Shpati ndërroi jetë në Bergamo natën kur kishte mbërritur në Itali, ndërsa më pas trupi i tij u transferua në një spital në Milano për analizadhe procedura të tjera ligjore, të cilat zakonisht zgjatin shumë.
Falë ndërhyrjes së Igli Tares, procesi i kthimit të trupit u përfundua brenda vetëm katër ditësh, duke mundësuar që Shpati të prehej në Tetovë më 30 nëntor.
Vëllai i Shpatit, Albin Kasapi, përmes një deklarate për Sportmania, shprehu mirënjohjen e familjes:
“Këto janë ditë dhimbjeje të madhe për ne. Falënderojmë të gjithë ata që kanë qenë pranë nesh në këtë humbje të rëndë.”
Ai shtoi: “Dua të shpreh falënderim publik për Igli Taren, bashkëkombësin tonë, që bëri të pamundurën dhe ishte faktor kyç që trupi i Shpatit u kthye kaq shpejt në vendin tonë. Na ka ndihmuar jashtëzakonisht shumë dhe e vlerësojmë pa masë këtë mbështetje.”
Familja theksoi se ndihma e Tares ishte vendimtare në këto ditë të vështira, duke lehtësuar një pjesë të barrës emocionale dhe procedurale që ata përjetuan pas humbjes së madhe.
Shpati Kasapi ndërroi jetë mbrëmjen e së martës, më 25 nëntor, pas një arresti kardiak në Bergamo të Italisë./Versus.al
