
I shumëkërkuari nga SPAK, Denis Matoshi, i njohur edhe si Eldi Dizdari, ndodhet aktualisht në paraburgim në Dubai, pas një kërkese të drejtësisë belge për ekstradim.
Autoritetet e Belgjikës e dyshojnë Matoshin për përfshirje në trafikun e kokainës përmes portit të Antwerp.
Ndërkohë, mediat belge kanë raportuar gjerësisht mbi pasurinë marramendëse të bashkëshortes së tij, e cila zotëron 9 prona në Dubai me një vlerë totale prej rreth 17.8 milionë euro.
Matoshi është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare dhe është lidhur shpesh me trafikun ndërkombëtar të drogës. Emri i tij doli në skenë edhe pas përplasjes me armë në ish-Bllok mes Ervis Martinajt dhe Ervin Matës, por pa një akuzë zyrtare ndaj tij.
Po ashtu, ai u përfol pas arrestimit të Arbër Cekajt, i dënuar për trafikimin e 613 kilogramëve kokainë në Maminas, për shkak të lidhjeve familjare.
Në jetën private, Dizdari është i njohur për martesën me ish-misin Suada Sherifi, me të cilën ka edhe një vajzë.
Mirëpo, burime për VoxNews kanë konfirmuar se çifti është ndarë.
Aktualisht, Sherifi raportohet se është në një lidhje me një tjetër biznesmen të pasur me kombësi marokene, i cili është në kërkim nga DEA amerikane. Modelja po vijon jetën e saj luksoze në Dubai, larg bujës që ka shoqëruar emrin e ish-bashkëshortit.







