
Një ish-matador ka humbur jetën pasi u godit për vdekje nga një dem në arenën e Malagas, në jug të Spanjës. Ngjarja e rëndë ndodhi teksa ai po merrte pjesë në përgatitjet për një corrida tradicionale të fundjavës së Pashkëve, njoftuan organizatorët të shtunën.
Viktima është Ricardo Ortiz, 51 vjeç, i cili po shkarkonte demat në arenën “La Malagueta” mbrëmjen e së premtes, kur “njëri prej tyre e goditi me forcë, duke i shkaktuar vdekjen”, bëri të ditur kompania organizatore “Lances de Futuro” në një deklaratë, duke shprehur “trishtimin e thellë”.
Ortiz vinte nga një familje e lidhur ngushtë me botën e tauromakisë. Edhe pse kishte mbi 20 vite që ishte tërhequr nga arena si matador, ai vazhdonte të ishte aktiv në menaxhimin e demave në arenën kryesore të qytetit, e cila ka një kapacitet prej rreth 9 mijë spektatorësh.

Corrida e frymëzuar nga Picasso
Aksidenti ndodhi ndërsa po përgatitej një event i veçantë, i njohur si “Corrida Picassiana”, që zhvillohet tradicionalisht të Shtunën e Madhe gjatë Pashkëve. Ky spektakël është i frymëzuar nga veprat e piktorit të famshëm spanjoll Pablo Picasso, i lindur në Malaga dhe i njohur për pasionin e tij ndaj korridave dhe temës së demave në artin e tij.
Dekorimet e arenës, kostumet e torerëve dhe atmosfera e eventit janë të gjitha të ndikuara nga stili artistik i Picasso-s.
Corridat në rënie në Spanjë
Spanja organizon rreth 1.500 corrida çdo vit, shpesh të lidhura me festa fetare. Megjithatë, sipas të dhënave zyrtare, numri i tyre është në rënie.
Këto evente mbeten shumë të debatueshme: kritikët i konsiderojnë barbare, ndërsa mbështetësit i shohin si një formë arti tradicionale, të rrënjosur thellë në kulturën spanjolle.
Toreadori i fundit profesionist që ka humbur jetën gjatë një corridaje në Spanjë ishte Víctor Barrio, në vitin 2016, në Teruel./ VERSUS

