Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një takim me socialistët e njësisë 12 në Tiranë në kuadër të riorganizimit për zgjedhjet e ardhshme vendore. *Duke iu referuar ecurisë së negociatave me BE-në, Rama tha se nuk ka asnjë ndryshim kursi dhe se pritet që ato të mbyllen në 2027-ën. Sipas tij, të gjithë vendet anëtare janë dakord që Shqipëria të jetë pjesë e Bashkimit Evropian. *Ndërsa hodhi poshtë akuzat e opozitës se korrupsioni në vend është rritur. Sipas Ramës, një gjë e tillë nuk është e vërtetë dhe argumentoi se po të ishte siç pretendohet, atëherë Shqipëria nuk do të kishte patur asnjë zhvillim pozitiv, gjë që sipas tij është fakt.
‘’Askush s'mund të thotë se është rritur korrupsioni’’, Rama: E refuzoj me neveri këtë gënjeshtër

Kreu i qeverisë Edi Rama e quajti një ‘’narrativë të gënjeshtërt’’ situatën e krijuar në vend si pasojë e skandaleve qeveritare. Sipas tij, korrupsioni nuk është rritur, duke argumentuar se po të ishte kështu, nuk do të ishin rritur rrogat apo pensionet.
‘’Nuk mund të çohet askush dhe të thotë me plotë gojën është rritur korrupsioni dhe nuk ka qenë kurrë korrupsioni siç është sot. Sepse kjo është gënjeshtër shumë e madhe, se po të ishte rritur korrupsioni, nuk do rritej ekonomia, nuk do rriteshin pagat dhe pensionet. Nuk do rritej numri i përfituesve nga garat publike etj. Unë e refuzoj me neveri këtë narrative që nuk dinë të thonë asgjë tjetër, po vjedhje, vjedhje, vjedhje, korrupsion, korrupsion. Po të ishte kështu, nuk do ndodhnin ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në të gjitha drejtimet’’- u shpreh Rama. Versus.al
Rama: Ata që nuk mbështesin PS, janë kundër anëtarësimit në BE

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim me socialistët në njësinë nr.12 të Tiranës ku foli lidhur me ecurinë e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Ai tha se synimi mbetet i njëjtë për mbylljen e negociatave në vitin 2027, por nënvizoi se sikur njëri shtet të thotë jo, atëherë anëtarësimi nuk ndodh.
‘’Mbyllja e negociatave me BE është mbyllja e hesapeve me katin e parë. Në katin e parë është Brukseli dhe nënpunësit e Brukselit që merren me reformat, ndjekin masat sesi ka ecur puna apo a janë bërë detyrat dhe pastaj në katin e dytë janë vendet anëtare. Janë 27 vende që ulen për të marrë vendime dhe mjafton një vend të thonë nuk duam dhe vendimi nuk merret. Ajo që është ndryshe sot është se të gjitha vendet në katin e dytë thonë se Shqipërinë duam ta marrim në BE. Prandaj kemi hapur kapitujt e negociatave për një muaj’’- tha Rama.
Më tej kreu i qeverisë bëri një deklaratë të fortë duke nënkuptuar se kushdo që nuk është anëtar i PS apo votues i kësaj force politike është kundër anëtarësimit në BE. Sipas tij, të gjithë janë kundër PS në këtë ‘betejë’.
‘’Por na duhet që të kuptojmë se jemi vetëm në këtë betejë. Jemi shumica, por jemi vetëm. Sepse gjithë të tjerët që nuk janë mbështetës apo anëtarë të PS janë kundër nesh. Dhe janë kaq të verbër saqë ngatërrojnë kundërshtinë me ne me interesin kombëtar dhe të mirën e përbashkët të vendit që është të shfrytëzojmë këtë moment dhe të hyjmë në BE. E kemi vënë Shqipërinë në një pozicion tjetër nga ai që ishte, kemi fituar besim të atyre që bënin sikur na respektonin. Kemi rritur ekonominë. Unë e di që sado të rritet ekonomia nuk është asnjëherë mjaft dhe njerëzit gjithmonë synojnë për më shumë. Por fakti është se pagat i kemi rritur në mënyrë sistematike. Tani kemi filluar të paguajmë edhe vjetërsinë në punë’’- shtoi kryeministri. Versus.al

