Aurela Gaçe ka rrëfyer në podcast-in “Mam” nga Orinda Huta rrugëtimin e saj të mëmësisë. Nënë e dy vajzave, Grace dhe Abigail, të ndryshme në karaktere por po aq edhe në shtatzëni. E para ishte e qetë, pa shqetësime e madje konkurroi edhe në Eurovision me një performancë shpërthyese e pa u kuptuar fare.
E dyta ishte një shtatzëni sfiduese. Aurela rrëfen se ishte një shtatzëni me rrezik dështimi që e detyroi të mos ishte më ajo e pandalshmja që s’e mbante vendi për t’u lidhur pas shtratit.
Aurela Gaçe: Qëkur e kuptova që në embrion që jam shtatzënë, takimin e parë që isha te mjeku, të nesërmen filluan dhimbjet.
-Dhimbje?
Aurela Gaçe: 5-javëshe, rrezik dështimi.
-Ke qenë me Abin gjithë kohës?
Aurela Gaçe: Me Abin kam qenë pothuajse 6 muaj e gjysmë, 7 muaj në regjim shtrati absolut. Ki parasysh domethënë me shumë ilaçe dhe jo, nuk ka të bëjë me moshën se ndonjëherë thoshin hë se ndoshta nga mosha, jo, ke vajza 20-vjeçare që humbasin edhe fëmijë, bëjnë abort spontan, pra nuk ka të bëj fare me këtë se ndonjëherë edhe të lëndojnë.
Edhe pse në regjim shtrati, Aurela ishte paralajmëruar nga mjeku se rreziku i dështimit ishte i pranishëm. Gjatë periudhës së vështirë, ajo kujton ndihmën e njerëzve pranë saj dhe të nënës që s’e linte vetëm.
Aurela Gaçe: Unë, kjo e shkathëta, kjo që nuk rrija dot në një vend, e bëra. Kam pasur një ndihmë shumë të madhe.
-Kush ishin ata që të ndihmuan?
Aurela Gaçe: Kisha mamin gjithë kohës, kisha vjehrrën. Ne jetonim në një shtëpi shumë të vogël dhe mami për rreth 3 muaj është shtrirë në tokë, ka fjetur në tokë derisa është bërë edhe shtëpia më e madhe pastaj që u zgjeruam sepse nuk kishte vend, krevati i madh ishte i zënë, unë flija në divan sepse duhet të rrotullohesha, të mbahesha diku, kisha vështirësi në ngritje, shumë javë kam ndenjur me vigonë nëpër duar, shkoja në spital, vija prapë.
Këngëtarja s’e mohon që ndihej e lodhur nga situata, por mendonte vajzën që do të sillte në jetë.
Kur mendoja se çfarë do të vinte në jetë, vetëm numëroja ditët. Thosha iku edhe një ditë, iku edhe një javë se janë ato java e 32-të, java e 33-të, do e bëj, po vjen, sinqerisht numëroja ditët.
E pavarësisht lodhjes fizike e psikologjike, Aurela nuk do të hiqte dorë për asgjë nga vajzat e saj: “Do ta bëja prapë të gjithën!”, tha ajo e vendosur në përmbyllje të rrëfimit.








