MAGAZINË /

"Ka ende qindra vezë dinosaurësh": ZbulimI spektakolar del në dritë pas 72 milionë vitesh

Një pasionant francez zbulon fole gjigante të Titanosaur pranë Mèze – një nga depozitat më të rralla paleontologjike në rajon

Shkruar nga Versus

"Ka ende qindra vezë dinosaurësh": ZbulimI spektakolar del

Një zbulim i jashtëzakonshëm paleontologjik është bërë në jug të Francës, në zonën e Hérault, ku një entuziast ka nxjerrë në dritë një depozitë të rrallë me vezë dinosaurësh që datojnë rreth 72 milionë vjet më parë.

Protagonisti i këtij zbulimi është Alain Cabot, 70 vjeç, i apasionuar pas paleontologjisë, i cili prej më shumë se tre dekadash studion dhe gërmon në këtë zonë pranë Mèze. Në një sipërfaqe prej rreth gjashtë hektarësh, që ai e ka kthyer në një muze të hapur për publikun, janë identifikuar rreth njëqind vezë dinosauri.

“Kam kaluar këtu qindra herë,” – rrëfen ai – “derisa një ditë vura re fragmente të shumta guaskash në tokë. Ishte shenja që po kërkoja.”

Fillimisht, një gropë prove zbuloi tetë vezë, por ato ishin të dëmtuara. Zbulimi i vërtetë erdhi më pas, kur një gërmim më i thellë nxori në pah disa fole të mëdha, secila me mbi 20 vezë – një numër i pazakontë, pasi zakonisht foletë përmbajnë vetëm 5–6 vezë.

Ekspertët besojnë se këto vezë i përkasin dinosaurëve të llojit Titanosaur, barngrënës gjigantë që jetonin në fund të periudhës së Kretakut.

Sipas Cabot, zbulimi është vetëm fillimi: “Ka ende qindra vezë të tjera të varrosura këtu,” – thotë ai, duke sugjeruar se zona mund të jetë një nga vendet më të rëndësishme të folezimit të dinosaurëve në Europë.

Sot, vendi funksionon si një muze i hapur, ku vizitorë nga e gjithë Franca dhe më gjerë mund të shohin nga afër këtë thesar të rrallë prehistorik, që vazhdon të zbulojë sekrete të fshehura prej miliona vitesh.

 

 

 

 

 

 

 

Poll