Një zbulim befasues ka dalë në dritë gjatë gërmimeve arkeologjike pranë Murit të Hadrianit, në veri të Anglisë. Arkeologët që po punojnë në një ish-fortifikim romak kanë zbuluar një koleksion të pazakontë këpucësh prej lëkure, me masë 49, të cilat mendohet të jenë afërsisht 2.000 vjeçare. Ato janë gjetur në një hendek pranë Fortit Magna, në Northumberland, ku banorët dhe ushtarët e atëhershëm hidhnin mbeturinat.
Sipas Rachel Frame, një nga arkeologet që drejton projektin në kuadër të Trustit arkeologjik Vindolanda, këto këpucë janë ruajtur falë kushteve specifike të tokës, me nivele shumë të ulëta të oksigjenit, çka ka mundësuar mbijetesën e materialeve organike si lëkura, druri apo tekstilet.
Një sasi që bie në sy
Ajo që e bën këtë zbulim të veçantë, është numri i madh i këpucëve me përmasa shumë të mëdha. Në gërmime të tjera pranë zonës, janë zbuluar mbi 5.000 këpucë, por vetëm 0.4% e tyre ishin më të mëdha se masa 47. Ndërkohë, në Fortin Magna, 25% e këpucëve të gjetura janë të këtij dimensioni.
Kjo ka shtyrë ekspertët të kërkojnë shpjegime për origjinën e këtij fenomeni:
“Po përpiqemi të kuptojmë se kush mund të ketë qenë këtu, cilat regjimente romake ishin vendosur në Magna, kush ishin këta njerëz me këmbë kaq të mëdha dhe pse kemi kaq shumë këpucë të mëdha pikërisht në këtë vend,” — shpjegon Frame.
Archers sirianë apo ushtarë kroatë?
Pista të shumta janë hapur: ndoshta këpucët i përkisnin arkëtarëve sirianë, të cilët sipas të dhënave historike janë dërguar në këtë zonë gjatë periudhës së Perandorisë Romake. Një tjetër teori është prania e një regjimenti nga Kroacia, që gjithashtu ka lënë gjurmë në këtë lokalitet.
“Kur njerëzit mendojnë për romakët, zakonisht mendojnë për italianët. Por harrojnë që Perandoria Romake ishte shumë më e gjerë dhe e larmishme. Rëndësia e këtij zbulimi qëndron edhe në faktin se na ndihmon të tregojmë historinë e diversitetit kulturor në atë kohë — diçka që është po aq domethënëse edhe për shoqërinë sot,” — shton Frame.
Përgjigjet priten së shpejti
Ekspertët shpresojnë të marrin të dhëna më të sakta përmes analizave të datimit deri në fund të këtij viti, për të hedhur më shumë dritë mbi këtë mister 2.000-vjeçar.







