Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, thuhet se u ka urdhëruar guidave turistike në vendpushimin e ri bregdetar të vendit, Wonsan , që të shmangin përdorimin e fjalëve të caktuara kur flasin me turistët.
Ndalimi vlen për të ashtuquajturat terma "të perëndimizuar" dhe "të anglicizuar" që janë të njohura në Perëndim dhe në Korenë e Jugut fqinje, siç janë hamburgerët, karaoke dhe akullorja.
Në vend të kësaj, guidat turistike, të cilët marrin pjesë në programe rigoroze shtetërore trajnimi, janë udhëzuar të përdorin shprehjen "dajin-gogi gyoppang", që do të thotë "bukë e dyfishtë me mish të grirë", për hamburgerin dhe termin "Eskimo" për akulloren, sipas Daily Mail.
Sa i përket karaokes, ata vetë janë të detyruar të përdorin një emër të gjatë: "makina shoqërimi në ekran".
Arsyeja e ndalimeve të Kim Jong-un
Gazeta lokale Daily NK raporton se guidat turistike kanë marrë "udhëzime të hollësishme se si të menaxhojnë dhe argëtojnë turistët dhe duhet të mësojnë përmendësh slogane dhe fraza"
Raporti i gazetës shton: "Qëllimi është t'u mësojmë profesionistëve të turizmit të përdorin me vetëdije fjalorin e Koresë së Veriut, duke shmangur shprehjet dhe fjalët e huaja të Koresë së Jugut ."
Raporti i ri i OKB-së
Ky veprim vjen pasi një raport i ri i OKB-së i publikuar më 12 shtator tha se të drejtat e njeriut në vend janë “përkeqësuar” gjatë dekadës së fundit që nga shqyrtimi i mëparshëm në vitin 2014, me “edhe më shumë vuajtje për popullsinë”.
Organizata flet për kampet politike të përqendrimit, përdorimin e gjerë të dënimit me vdekje, punën e fëmijëve dhe zhdukjen e mijëra njerëzve, përfshirë shtetas të huaj që janë rrëmbyer, si dhe për rritjen e mbikëqyrjes, kontrollit, izolimit dhe aksesit të kufizuar në ushqim.
Dhe raoporti thekson: "Asnjë popullsi tjetër në botë sot nuk jeton nën kufizime kaq të rrepta ."
Regjimi, i udhëhequr nga diktatori Kim Jong-un, ka rritur gjithashtu dënimet e ashpra, duke përfshirë ekzekutimet publike, për përhapjen e informacionit të huaj dhe madje edhe të mediave argëtuese, të tilla si seriale televizive, muzikë dhe filma nga të ashtuquajturat vende "armike", si dhe për "shprehjet gjuhësore" që nuk janë në përputhje me "ideologjinë dhe kulturën socialiste".
Ekipet shtetërore të bastisjeve vazhdojnë të kryejnë bastisje shtëpish pa mandat arresti, duke shqyrtuar kompjuterë, radio dhe televizorë me qëllim identifikimin e "materialeve antisocialiste".







