
E ftuar në Podfestë, këngëtarja dhe anëtarja e jurisë së Festivalit të Këngës 2024, Jonida Maliqi, foli hapur për tensionin e komentuar gjerësisht mes saj dhe Elvana Gjatës gjatë natës së votimit. Kujtojmë se vitin e kaluar, kur Elvana konkurroi me këngën “Karnaval”, Jonida e renditi të dytën dhe një nënqeshje e saj gjatë leximit të pikëve u bë virale, duke ndezur interpretime dhe reagime në rrjete.
Në bisedën me Olti Currin, pyetja ishte e drejtpërdrejtë: a është sulmuar nga fansat e Elvanës? Maliqi dha një përgjigje të gjatë, duke e lidhur çështjen edhe me episode të mëparshme publike.
“Më kanë sulmuar në fillim, para Shkodrës Elektronike, kur ka fituar Arilena Ara. Asokohe unë vija nga Festivali i 2018-ës dhe në 2019-ën duhet të jepja trofeun dhe m'u desh t'ia jepja Arilenës. Pastaj, më ftojnë në post festival, ku unë shprehem si artiste. Dhe njerëzit këtë ngatërrojnë, zakonisht krijohen skenare absurde, jo vetëm nga publiku, por edhe nga mediat, që kanë të bëjnë me anën personale. Ana personale nuk ka të bëjë fare. Dhe vetëm se thashë 'kënga e Arilenës, sipas shijeve të mia muzikore, është kënga fituese'."
Pas kësaj, Curri e pyeti: “pra, paske dalë dy herë kundër Elvanës, artistikisht”.
“Artistikisht, ndoshta po, por personalisht, duhet ta sqarojmë një herë e mirë, Elvanën e njoh që në moshë fare të vogël. Nuk ka nevojë fare për elozhet e mia sepse në qoftë se është aty ku është, është falë atributeve të saj. Ajo është një artiste që unë e kam vlerësuar gjithmonë, por nëse mua nuk më pëlqen kënga, nuk ka të bëjë fare me çfarë është ky këngëtar, ka të bëjë vetëm me materialin muzikor.”
Në mbyllje, Maliqi shtoi një urim për karrierën e Gjatës dhe tha se mendonte që Elvana “do vazhdonte dhe ca dekada të tjera” në tregun muzikor.
