MAGAZINË /

Kanceri i mushkërive: Rreziku serioz që "fshihet" në dollapin e kuzhinës e frigorifer

Një kategori specifike e ushqimeve "mëkatare" konsiderohet fajtore për një tjetër rrezik serioz për shëndetin, duke përforcuar nevojën për ta kufizuar atë dhe për të promovuar një model më të shëndetshëm të të ngrënit.

Shkruar nga Versus

Kanceri i mushkërive: Rreziku serioz që "fshihet" në

Një studim i fundit i publikuar në revistën shkencore Thorax hedh dritë mbi një lidhje alarmante mes konsumit të lartë të ushqimeve ultra të përpunuara (UPF) dhe rritjes së rrezikut për zhvillimin e kancerit të mushkërive.

Kanceri i mushkërive: Përtej duhanit

Kanceri i mushkërive mbetet ndër format më të zakonshme dhe më vdekjeprurëse të kancerit në mbarë botën. Ndërsa pirja e duhanit është faktori kryesor i rrezikut, hulumtimet më të reja tregojnë se edhe faktorë të tjerë, si ushqimi, luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e sëmundjes.

Kanceri i mushkërive: Rreziku serioz që "fshihet" në

Çfarë janë ushqimet ultra të përpunuara (UPFs)?

UPF-të janë produkte që kalojnë nëpër shumë faza përpunimi industrial dhe përmbajnë shpesh konservues, aromatizues artificialë, ngjyrues, emulgatorë dhe përbërës të tjerë jo natyralë. Këto përfshijnë produkte të gatshme për konsum ose ngrohje, si: bukë të ambalazhuar, vakte të ngrira, pije të gazuara dhe me sheqer, ushqime të shpejta (fast food), mishra të përpunuar, ëmbëlsira industriale, etj.

Kanceri i mushkërive: Rreziku serioz që "fshihet" në

Studimi dhe rezultatet

Studiuesit analizuan të dhënat e mbi 101,000 pjesëmarrësve të moshës 55-74 vjeç, pjesë e një studimi amerikan të quajtur PLCO, që kishte në fokus zbulimin e hershëm të kancerit. Pjesëmarrësit raportuan zakonet e tyre ushqimore dhe u monitoruan për më shumë se një dekadë për diagnoza të kancerit dhe vdekje nga sëmundja.

Gjatë një periudhe mesatare prej 12 vitesh, u regjistruan 1,706 raste me kancer të mushkërive (1,473 raste me kancer jo-mikroqelizor dhe 233 raste me formën mikroqelizore). U vu re se individët që konsumonin më shumë ushqime UPF kishin ndjeshëm më shumë gjasa të diagnostikoheshin me kancer mushkërie:

41% rrezik më të lartë për të gjitha llojet e kancerit të mushkërive
37% rritje në rastet e kancerit jo-mikroqelizor
44% rritje në rastet e kancerit mikroqelizor
Këto shifra qëndruan të larta edhe pas marrjes parasysh të faktorëve të tjerë ndikues si pirja e duhanit dhe cilësia e përgjithshme e dietës.

Kanceri i mushkërive: Rreziku serioz që "fshihet" në

Pse janë të rrezikshme UPF-të?

Studiuesit vënë në dukje se ushqimet ultra të përpunuara zëvendësojnë shpesh opsione më të shëndetshme si frutat, perimet dhe drithërat integrale të cilat njihen për mbrojtjen që ofrojnë kundër kancerit. Gjithashtu, procesi industrial i përpunimit mund të ndryshojë strukturën dhe përmbajtjen ushqyese të produkteve, duke shtuar substanca të dëmshme si akroleina një përbërës toksik që gjendet edhe në tym duhani dhe në disa ushqime të përpunuara.

Për më tepër, edhe materialet e paketimit të këtyre produkteve mund të çlirojnë substanca të rrezikshme për shëndetin.

Autorët e studimit theksojnë se nevojiten kërkime të mëtejshme për të konfirmuar lidhjen shkak-pasojë mes konsumit të UPF dhe kancerit të mushkërive. Megjithatë, paralajmërojnë se rritja globale e konsumit të këtyre ushqimeve mund të ketë një ndikim serioz në rritjen e rasteve me sëmundje kronike si obeziteti, diabeti, sëmundjet kardiovaskulare dhe kanceri.

“Po të vërtetohet lidhja shkakësore, kufizimi i konsumit të ushqimeve ultra të përpunuara në shkallë globale mund të ndihmojë në uljen e rasteve me kancer të mushkërive”, përfundojnë studiuesit.

Poll