
Kate Middleton ka anuluar pjesëmarrjen e saj në garën tradicionale me kuaj në Ascot, duke ngritur sërish pikëpyetje mbi gjendjen e saj shëndetësore. Edhe pse ishte përfshirë fillimisht në listën zyrtare të të pranishmëve të publikuar nga Pallati Kensington, vetëm pak minuta para fillimit të ngjarjes, emri i saj u hoq pa ndonjë sqarim publik.
Sipas planit, Princesha e Uellsit do të udhëtonte nga Kështjella Windsor drejt Ascot-it me Princin William, në një karrocë që do të ndiqte atë të Mbretit Charles dhe Mbretëreshës Camilla. Por në vend të saj, në karrocën mbretërore u ul Princi William së bashku me Mbretin, Mbretëreshën dhe një princ saudit, një lëvizje e befasishme që u shoqërua me heshtje nga pallati.
Burime pranë familjes mbretërore konfirmuan se Kate është “e zhgënjyer” që nuk ishte në gjendje të merrte pjesë, por theksuan se ajo po përpiqet të ruajë ekuilibrin mes shërimit dhe paraqitjeve publike. Nga ana tjetër, mungesa e sqarimeve të qarta ka lënë vend për spekulime, pavarësisht deklaratave të pallatit se “nuk ka vend për shqetësim”.
Kate, e cila ka tre fëmijë të vegjël me William, është rikthyer gradualisht në angazhimet publike këtë vit që kur njoftoi në janar se po shërohej nga kanceri. Kate nuk ka ndarë detaje për llojin e kancerit me të cilin u diagnostikua, megjithëse ka treguar se iu nënshtrua trajtimit me kimioterapi./Versus.al







