Stetoskopët e pajisur me inteligjencë artificiale (AI) mund të ndihmojnë në zbulimin e tre sëmundjeve të ndryshme të zemrës për vetëm disa sekonda, sipas studiuesve.
Stetoskopi origjinal, i shpikur në vitin 1816, u mundëson mjekëve të dëgjojnë tingujt e brendshëm të trupit të pacientit. Një ekip britanik ka kryer një studim duke përdorur një version modern të këtij instrumenti dhe thotë se ka zbuluar se ai mund të identifikojë dështimin e zemrës, sëmundjet e valvulave të zemrës dhe ritme të çrregullta të saj pothuajse menjëherë.
Sipas studiuesve, kjo pajisje mund të jetë një “ndryshim i madh loje”, që do të rezultojë në trajtim më të shpejtë për pacientët – me plane për ta shpërndarë pajisjen në mbarë Mbretërinë e Bashkuar, pas një studimi që përfshiu 205 qendra mjekësore familjare në perëndim dhe veri-perëndim të Londrës.
Pajisja zëvendëson pjesën klasike të stetoskopit. Ajo përdor një mikrofon për të analizuar ndryshime shumë të vogla në rrahjet e zemrës dhe rrjedhjen e gjakut – të cilat njeriu nuk është në gjendje t’i dallojë. Ajo gjithashtu realizon një EKG (elektrokardiogramë), që regjistron sinjalet elektrike të zemrës, dhe i dërgon të dhënat në “cloud” për t’u analizuar nga AI, e trajnuar me të dhëna nga dhjetëra mijëra pacientë.
Studimi i realizuar nga Imperial College London dhe Imperial College Healthcare NHS Trust përfshiu mbi 12,000 pacientë nga 96 qendra shëndetësore, të cilët u ekzaminuan me stetoskopët me AI të prodhuar nga kompania amerikane Eko Health. Rezultatet u krahasuan me pacientë nga 109 qendra të tjera ku kjo teknologji nuk u përdor.
Sipas studiuesve, pacientët me dështim zemre kishin 2.33 herë më shumë gjasa që sëmundja të zbulohej brenda 12 muajve kur u ekzaminuan me stetoskopin inteligjent. Ritmet e çrregullta të zemrës, që shpesh nuk kanë simptoma por rrisin rrezikun për goditje në tru, u zbuluan 3.5 herë më shpesh me këtë pajisje, ndërsa sëmundjet e valvulave u identifikuan 1.9 herë më shumë.
Dr. Sonya Babu-Narayan, drejtore klinike në Fondacionin Britanik të Zemrës (BHF) dhe kardiologe, tha: “Ky është një shembull i shkëlqyer se si stetoskopi i thjeshtë, i shpikur më shumë se 200 vjet më parë, mund të përmirësohet për shekullin XXI.” Ajo shtoi se inovacione të tilla janë thelbësore: “Shpesh kjo gjendje diagnostikohet vetëm në një fazë të avancuar, kur pacientët paraqiten në spital në gjendje emergjente. Nëse diagnostikimi bëhet më herët, njerëzit mund të marrin trajtimin që u nevojitet për të jetuar më gjatë dhe më mirë.”
Gjetjet e studimit u prezantuan para mijëra mjekëve në kongresin vjetor të Shoqatës Evropiane të Kardiologjisë në Madrid – konferenca më e madhe në botë për shëndetin e zemrës. Ka plane për ta sjellë pajisjen në qendra mjekësore në jug të Londrës, Sussex dhe Uells./BBC/







