
Sezoni i ri i LaLigas 2026-27 nis më 15 gusht, por disa nga vendimet më të rëndësishme për edicionin e ardhshëm janë marrë gjatë këtyre ditëve në Spanjë, ku Komiteti Teknik i Arbitrave ka zhvilluar mbledhjet për përgatitjen e sezonit të ri.
Një nga vendimet kryesore është që futbolli spanjoll nuk do të aplikojë të ashtuquajturin “Ligji Vinicius”, një rregull që ishte diskutuar më herët nga autoritetet e arbitrimit. CTA ka vendosur të ndjekë linjën e UEFA-s dhe të mos e përfshijë këtë masë në kampionatin spanjoll.
Ky rregull parashikon ndëshkim me karton të kuq direkt për lojtarët që mbulojnë gojën gjatë debateve me kundërshtarët apo arbitrat, me qëllim shmangien e fyerjeve të mundshme. Megjithatë, kjo masë ka shkaktuar dilema, pasi gjesti i mbulimit të gojës përdoret shpesh edhe për komunikime taktike apo diskutime gjatë lojës, pa pasur domosdoshmërisht përmbajtje fyese.
Presidenti i CTA-së, Fran Soto, ka shprehur më herët dyshimet për këtë rregull, duke theksuar se nuk mund të lihet një skuadër me 10 lojtarë pa prova të qarta për atë që është thënë.
Luftë kundër humbjes së kohës
Ndërkohë, arbitrat spanjollë kanë kërkuar nga IFAB (organizmi që përcakton rregullat e futbollit në nivel botëror) një masë të re për të luftuar humbjen e kohës, veçanërisht nga portierët që ekzagjerojnë dëmtimet.
Modeli është i ngjashëm me atë që pritet të zbatojë Premier League: nëse një portier simulon një dëmtim për të vonuar rifillimin e lojës, skuadra e tij mund të ndëshkohet duke luajtur për një minutë me një lojtar më pak në fushë.
Qëllimi i kësaj mase është rritja e kohës efektive të lojës, ritmi më i lartë i ndeshjeve dhe përmirësimi i spektaklit.
Rregulla të reja për vonesat në lojë
Përveç kësaj, arbitrazhi spanjoll do të aplikojë edhe disa udhëzime të testuara gjatë Kupës së Botës 2026:
– kontroll më i madh për vonesat në goditjet anësore;
– lojtarët duhet të kryejnë zëvendësimet brenda 10 sekondave;
– futbollistët që marrin trajtim mjekësor do të duhet të qëndrojnë jashtë fushës për një minutë.
Këto ndryshime janë pjesë e një përpjekjeje më të gjerë të UEFA-s për të unifikuar mënyrën e zbatimit të rregullave në kampionatet evropiane.
Sa i përket VAR-it, drejtimi i ri mbetet i njëjtë: ndërhyrje vetëm në raste të gabimeve të qarta dhe të dukshme. Teknologjia nuk duhet të zëvendësojë arbitrin, por të shërbejë si mbështetje për vendimet e tij në situata të rëndësishme.

