
Sportistja kosovare Distria Krasniqi ka hyrë në histori si xhudistja më e vlerësuar në botë, duke u renditur e para jo vetëm në kategorinë deri në 52 kilogramë, por edhe në renditjen e përgjithshme të Federatës Ndërkombëtare të Xhudos për të gjitha kategoritë, mashkuj e femra.
Pas fitimit të medaljes së argjendtë në Kampionatin Botëror të mbajtur në Budapest, Krasniqi fitoi 1400 pikë të reja, duke e çuar totalin e saj në 7055 pikë. Me këtë rezultat, ajo kalon të gjithë rivalët e saj, përfshirë emra të njohur të xhudos botërore si rusi Inal Tasoev (7000 pikë) dhe japonezi Sanshiro Murao (6895 pikë).
Më parë, kryesimin e kategorisë deri në 52 kilogramë e mbante francezja Amandine Buchard me 5700 pikë, por me pikët e fituara së fundmi, Krasniqi ka marrë një avantazh të qartë, duke e ulur rivalen në vendin e dytë.
Renditja e fundit, e publikuar të hënën nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos, jo vetëm që ngjit Distrian në majën e sportit, por vendos edhe Kosovën në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.
Kjo arritje ka një rëndësi të veçantë në prag të Lojërave Olimpike, pasi renditja botërore përcakton kualifikimet olimpike dhe statusin në garat më të mëdha.







