MAGAZINË /

'Më goditën me shpatë' aktori tregon si i mbijetoi incidentit të frikshëm teksa luante në Teatër

Pavarësisht plagës në kokë, Hoxhaj nuk e ndërpreu shfaqjen.

Shkruar nga Versus
'Më goditën me shpatë' aktori tregon si i mbijetoi
Emir Hoxha

Aktori i njohur i humorit, Emir Hoxhaj, ka treguar një episod të rrezikshëm nga karriera e tij teatrale, i cili për pak sa nuk i kushtoi jetën. I ftuar në emisionin “Hipokrati”, Hoxhaj rrëfeu se gjatë një shfaqjeje në teatër ishte plagosur në kokë nga një shpatë e vërtetë që po përdorej në skenë.

“Luaja një skenë lufte dhe kishim shpata të vërteta, sepse regjisori donte që tingulli të ishte sa më realist. Gjatë përplasjes, njëra më goditi në kokë dhe më çau,” tregoi aktori.

Megjithatë, ajo që e kishte shpëtuar nga një dëmtim më i rëndë ishte një detaj i rastësishëm i kostumit: një kapele tradicionale, e mbushur me bluza.

“Kishte formën e një kaskete ilire dhe unë e kisha mbushur me dy bluza që të më rrinte mirë. Mund të them me bindje që ato bluza më kanë shpëtuar jetën,” u shpreh ai.

Pavarësisht plagës në kokë, Hoxhaj nuk e ndërpreu shfaqjen. “Dola pak nga skena, por u riktheva dhe e përfundova rolin. Vetëm më pas shkova në urgjencë, ku mjeku më tha të qëndroja gjashtë orë nën vëzhgim. Por unë kisha një tjetër shfaqje për të luajtur,” tregoi ai.

Hoxhaj ndau edhe dy episode të tjera të pakëndshme: një përplasje në det që i shkaktoi një tjetër çarje në kokë dhe një rast kur u pickua nga një merimangë.
“Spitalet më japin energji negative,” shtoi ai me humorin që e karakterizon.

Tags:

emir hoxha

Poll