Pas kaq shumë viteve në kërkim të trofeut të “Champions League”, presidenti i PSG-së, Naser Al-Khelaifi u shpërblye mbrëmë me fitoren e ekipit të tij 5-0 përballë Interit.
Më i lumtur se kaq, ai nuk mund të ishte, por nuk harroi të përmendte kritikat që ka marrë përgjatë viteve që ka tentuar të fitojë trofeun prestigjoz.
“Ju gjithmonë na kritikoni dhe dyshoni te aftësitë tona, por sot treguam se mund të fitojmë. Ne luajtëm për Francën, jo vetëm për Parisin. Jemi krenarë, kemi shumë tifozë. Faleminderit trajnerit, lojtarëve, Luis Kampos dhe atyre që na mbështetën”, tha ai për “RMC Sport”.
Shpërthimi kishte filluar pak më parë në mikrofonat e Canal+, ku numri një i PSG-së nënvizoi se sa shumë njerëz nuk besonin në projekt dhe as në qëndrueshmërinë financiare të klubit. “Ne jemi kampionë! Është një ëndërr e bërë realitet.”
Al-Khelaifi gjithashtu donte të nxirrte në pah përbërjen e skuadrës, duke nënvizuar moshën mesatare shumë të re (25 vjeç e 96 ditë në finale) dhe lidhjen e fortë me futbollin francez. “Ne nuk jemi vetëm një klub parisien, por një ekip francez që mbron ngjyrat e vendit. Ne kemi një ligë konkurruese dhe shumë lojtarë të talentuar. Shikoni dygolëshin e Desire Doue, ishin gola madhështorë”, përfundoi ai. Versus.al







