
Një ndeshje “e çmendur” mund të cilësohet ajo e luajtur mbrëmë në “Parkun e Princave” në Paris të Francës mes PSG dhe Bayern Munchen për të arritur finalen e Champions League.
Francezët arritën të dilnin fitimtarë me rezultatin 5-4, duke lënë çdo mundësi të hapur për Bayernin në ndeshjen e kthimit që luhet në Gjermani.
Të parët që kaluan në avantazh ishin bavarezët me Harry Kane në minutën e 17-të i cili ekzekutoi saktë penalltinë.
Reagimi i PSG-së ishte i shpejtë. Në minutën e 24-të, Khvicha Kvaratskhelia barazoi me një aksion individual dhe finalizim të saktë nga brenda zonës për 1-1.
Në minutën e 33-të, PSG përmbysi rezultatin pas një goditjeje këndi të ekzekutuar në mënyrë perfekte, ku Joao Neves shënoi me një goditje të fuqishme me kokë për 2-1.
Por Bayern nuk u tërhoq dhe në minutën e 41-të Michael Olise realizoi një supergol nga jashtë zone, duke e ngulur topin në “çatinë” e portës për 2-2.
Në sekondat e fundit të pjesës së parë pati një moment kyç. Pas rishikimit me VAR u akordua penallti për PSG dhe Ousmane Dembele shënoi në minutën 45+5’, edhe pse Manuel Neuer e preku topin, për t’i dhënë avantazhin vendasve 3-2 në pushim.
Në pjesën e dytë PSG e rriti ndjeshëm intensitetin. Në minutën e 56-të, pas asistimit të Achraf Hakimit, Kvaratskhelia shënoi sërish me një goditje të saktë nga zona për 4-2.
Vetëm dy minuta më pas, në minutën e 58-të, Dembele realizoi edhe golin e tij të dytë me një goditje të bukur që u përplas në shtyllë dhe përfundoi në rrjetë për 5-2.
Bayern tentoi të rikthehej dhe e ngushtoi diferencën në minutën e 65-të, kur Dayot Upamecano shënoi me kokë pas një goditjeje standarde të ekzekutuar nga Joshua Kimmich, duke e çuar rezultatin në 5-3.
Më pas pati edhe një episod të rëndësishëm për bavarezët: Luis Díaz fillimisht u ndal për pozicion jashtë loje, por pas rishikimit me VAR (minuta 70’) u konfirmua se goli qëndronte, duke shtuar edhe më shumë tensionin në minutat e fundit. Ndeshja pati shumë kthesa duke bërë që të mbetet në memorien e shumë njerëzve të cilët mezi presin ndeshjen e kthimit. Versus.al

