
Vendi ynë do të ndikohet gjatë ditës së sotme nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura në pjesën më të madhe të territorit.
Reshjet e shiut do të jenë të pranishme që në orët e para të mëngjesit përgjatë vijës bregdetare, me intensitet të ulët. Pas orëve të mesditës, reshjet do të shtrihen në pjesën më të madhe të vendit, kryesisht me intensitet të dobët. Në veriperëndim dhe lokalisht në jugperëndim priten reshje shiu me intensitet deri mesatar, të shoqëruara me shtrëngata afatshkurtra.
Në zonën e Alpeve, si dhe në verilindje dhe lindje, në lartësitë mbi 800–900 metra mbi nivelin e detit, reshjet do të jenë në formën e borës me intensitet të ulët. Temperatura më e ulët parashikohet të jetë 0°C, ndërsa më e larta do të jetë plot 17°C në disa zona të vendit.
Era do të fryjë nga verilindja drejt juglindjes me shpejtësi mesatare rreth 8 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore pritet të arrijë shpejtësi deri në 16 m/s.
Deti do të jetë i trazuar, me valëzim të forcës 4–5 ballë.

