Bota e artit shqiptar është sot më e varfër. Astrit Koçibelli, një nga emrat më të dashur të skenës muzikore korçare dhe zëri i paharruar i serenatave, është ndarë nga jeta duke lënë pas një boshllëk të thellë në zemrat e atyre që e donin, e dëgjonin dhe e admironin.
Lajmi i trishtë është bërë publik nga Qendra e Artit dhe Kulturës në Korçë, që përmes një njoftimi në rrjetet sociale i dha lamtumirën një prej figurave më të dashura të qytetit:
“Lamtumirë Astrit Koçibelli. Korça humbi sot një nga serenatistët e saj më të dashur. Me zërin dhe shpirtin e tij, Astriti u bë pjesë e historisë së serenatës korçare. Këngët e tij do të vazhdojnë të jetojnë si kujtim i gjallë i dashurisë dhe artit të qytetit tonë.”
I njohur për zërin karakteristik dhe interpretimet që mbartnin një ndjeshmëri të thellë, Koçibelli ishte vetë shpirti i serenatës.
Me një stil të veçantë dhe një aftësi unike për të prekur zemrat e publikut, Astriti solli jetë në këngët e dashurisë, nostalgjisë dhe ëmbëlsisë, duke bërë që zëri i tij të mbetet i pavdekshëm për dashamirësit e muzikës së vërtetë korçare.
Në rrjetet sociale, fansat dhe miqtë e tij kanë shpërthyer në mesazhe dhimbjeje dhe vlerësimi:
"Na dhe shumë, Astrit. Dashuri, art dhe një zë që s'ka të dytë."
"Korça do të të kujtojë gjithmonë me serenatë në sfond."







