Një darkë ekstravagante në Majorkë ka shkaktuar stuhi komentesh në rrjet, pasi restoranti luksoz “Annabel” në Palma Nova publikoi në Instagram një faturë marramendëse prej 63.237.90 euro.
Sipas postimit të restorantit, bëhet fjalë për një grup prej 18 personash, të cilët konsumuan 17 shishe shampanjë Dom Pérignon, një përzgjedhje të bollshme ushqimesh; përfshirë pica, pasta, rizoto dhe, mbi të gjitha, “peshq të ndryshëm” që kushtuan mbi 45.000 euro.
“Duhet të kenë qenë peshq të artë”, komentoi një përdorues në Instagram, duke ironizuar mbi shifrën e pabesueshme.
Kush është pas faturës?
Edhe pse restoranti nuk ka zbuluar identitetin e klientëve, ai ka lënë të kuptohet në mënyrë të mistershme se bëhet fjalë për një sportist të njohur amerikan, i cili kishte ardhur me 17 miq, një grup prej 18 vetash, çka e sjell koston mesatare të darkës në më shumë se 3.500 euro për person.
“Kujt i përket kjo faturë? Na i përmendni në komente, se kemi një fjalë për t’i thënë...”, shkruan restoranti në postim, duke shtuar zjarr mbi kuriozitetin.
Fama virale
Fotoja e faturës luksoze u bë menjëherë virale, me mijëra pëlqime, komente dhe ndarje, ndërsa përdorues nga e gjithë bota përpiqen të zbulojnë emrin e sportistit misterioz.
Ky veprim marketingu nga restoranti “Annabel”, i cili hapi dyert vetëm muajin e kaluar, duket se ka funksionuar në mënyrë të përkryer: jo vetëm që ka siguruar publicitet ndërkombëtar, por ka vënë restorantin në qendër të vëmendjes botërore, pa zbuluar asnjë emër.
View this post on Instagram







