
Kapiteni i ekipit kombëtar, Berat Gjimshiti ka dhënë një intervistë për “Gazetta dello Sport” në Itali ku ka folur në prag të ndeshjes me kombëtaren italiane në “Euro 2024”.
Ai e cilësoi Italinë si favorite për ndeshjen e të shtunës duke e cilësuar si tepër të lartë potencialin e futbollistëve të cilët para tre vitesh u shpallën kampiona Europe.
Por ai u shpreh se kuqezinjtë nuk kanë pse ta mbivlerësojnë Italinë duke qenë se shumë prej tyre luajnë në Serie A dhe e njohin mënyrën e lojës së italianëve.
“Kur luan kundër një kombëtareje si Italia nuk është se ke shumë avantazhe në favor, por kur e njeh kundërshtarin të shërben shumë për mënyrën si përballesh në fushë. Nëse nisemi mirë kundër Italisë, atëherë do të fitonim besim edhe për ndeshjet e radhës, do të mund t’i menaxhonim më mirë ato.
Italia sigurisht që është favoritja të shtunën, unë e di sepse e njoh potencialin e atyre që para tre vitesh u shpallën Kampionë të Europës. Edhe pse pas vitit 2021, Italia ka pasur ulje dhe ngritje. Janë një kundërshar që duhet t’i respektojmë, por jo t’i mbivlerësojmë”- tha Gjimshiti.
Më 15 qershor në orën 21:00 në "Iduna Park" të Dortmundit luhet Shqipëri - Itali në Grupin B të Europianit 2024, me tanët që kanë kundërshtar edhe Kroacinë e Spanjën. Versus.al








