Shitja e biletave për ndeshjen e Kombëtares është kryer përmes një sistemi aplikimi dhe përzgjedhjeje me short, për shkak të kërkesës së lartë. Megjithatë, një deklaratë e bërë së fundmi nga ish-banorja e Big Brother VIP Kosova, Juliana Nura, ka ndezur debat në rrjetet sociale.
Në një prononcim publik, Nura tha se kishte siguruar biletën falë presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, duke lënë të kuptohet se kishte përparësi personale. Deklarata e saj ka qarkulluar gjerësisht në rrjet, duke ngritur dyshime për mënyrën e shpërndarjes së biletave.
Por për të sqaruar situatën, Newsport.al kontaktoi vetë presidentin e FSHF-së, Armand Duka, i cili e mohoi kategorikisht një gjë të tillë.
“Nuk e njoh fare atë vajzën,” – u shpreh Duka, duke shtuar se për shkak të angazhimeve me Kombëtaren, nuk ka pasur kohë as për të përdorur telefonin personal gjatë muajit të fundit.
Sipas Dukës, pretendimet e ish-banores janë të pavërteta dhe të fryra për shkak të interesit të madh që ka krijuar marrja e një bilete për ndeshjen.
Por Nura reagoi sërish, duke përgënjeshtruar Dukën.
"Njerëzit e Armandos ne i kemi të njohur dhe i kam bërë një telefonatë. Kam marrë dhe bileta online, për shkak të tifozave kuqezi dhe Plisat, që të mos bëhej rrëmujë. Sepse është një lojë shumë e tensionuar, me Serbinë, e dimë si është historia jonë. Ne që jemi media, që jemi në televizion, i marrim biletat sepse është diçka që na takon. Nuk e kuptoj pse u bë kaq e madhe"- u shpreh Juli.
E pyetur për marrëdhënien e saj me Armand Dukës dhe si e komenton deklaratën, ku ai është shprehur se nuk e njeh, Juli është përgjigjur:
“Kur kam qenë në Tiranë në ‘Air Albania’ e kam hasur disa herë, i kam dhënë dorën, por kaq”, tha ajo.
"Nuk e kam parë këtë, përderisa nuk e kam parë nuk di se çfarë të them. Por për shkak imazhi… unë mendoj se është privatizuar ‘Air Albania’, është privatizuar Kombëtarja prej tij. Kështu e kuptoj, që është një biznes i tij dhe nuk do që ta dëmtojë duke thënë që i ka dërguar bileta. Nuk është e drejtë të lësh tifozat kuqezi dhe Plisat jashtë ‘Air Albania’".







