
Partneriteti komercial i Andrea Pirlos me kompaninë ruse të basteve Fonbet është arsyeja e kaosit që vazhdon të mbretërojë në futbollin italian.
Kombëtarja e madhe evropiane humbi Kupën e Botës për të tretën herë radhazi dhe Pirlo u zgjodh si trajneri që do t'ua rikthente lavdinë katër herë kampionëve të botës dhe dy herë kampionëve të Evropës. Historia sportive u bë politike dhe Pirlo mbeti pa punë. Përpara se të ndodhte kjo, ai kishte rënë dakord për një kontratë katërvjeçare me Federatën Italiane të Futbollit me vlerë rreth 1.5 milion euro në sezon, plus bonuse.
Rasti mori një notë politike me reagimet e politikanëve italianë. Kreu i partisë Azione, Carlo Calenda, tha se njerëzit që morën pjesë në propagandën ruse pas vitit 2022 nuk duhet të mbajnë funksione kombëtare.
Kritikave iu bashkua edhe nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Pina Picierno, e cila beson se reputacioni i Pirlos ka kontribuar në normalizimin e regjimit të Vladimir Putinit.
Ndërsa Pirlo në reagimin e tij tha se nuk është e drejtë që t'i atribuohen përgjegjësi që nuk i takojnë për bindje që nuk janë të tijat.
“Nga respekti për institucionet, Federatën dhe të gjithë personat e përfshirë, kam vendosur të hesht, por pasi mësova mbrëmë se nuk jam më kandidat për stolin e kombëtares italiane, ndiej se duhet të sqaroj disa gjëra. Bashkëpunimi profesional që ka shkaktuar polemika së fundmi lindi gjatë punës sime në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe është ekskluzivisht i natyrës komerciale dhe sportive. T'i atribuosh rëndësi politike këtij bashkëpunimi është si t'i atribuosh mua bindje që nuk i kam shprehur kurrë dhe që nuk janë të miat. Më vjen keq që një vendim me natyrë sportive u shndërrua kaq shpejt në një debat publik në të cilin më u atribuuan pikëpamje dhe qëllime që nuk janë të miat", shkroi Pirlo në profilin e tij në Instagram. Versus.al

