Pas përfundimit të finales së madhe të Eurovision 2025, e mbajtur më 17 maj, grupi që përfaqësoi Shqipërinë, “Shkodra Elektronike”, ka reaguar për herë të parë në rrjetet sociale. Në një postim në llogarinë e tyre zyrtare në Instagram, ata publikuan një foto shoqëruar me mbishkrimin:
“Donim të fitonim zemrat tuaja. Duket se ia dolëm. Apo jo?”
Mesazhi është shkruar në tre gjuhë – shqip, italisht dhe anglisht – si një falënderim i përzemërt për mbështetjen ndërkombëtare.
Reagimet në komente konfirmojnë se “Shkodra Elektronike” dhe kënga e tyre “Zjerm” kanë lënë gjurmë jo vetëm në zemrat e publikut shqiptar, por edhe tek audienca e gjerë europiane që e ndoqi me entuziazëm natën finale të festivalit.
Beatriçe Gjergji dhe Kolë Lacaj, dyshja që qëndron pas “Shkodrës Elektronike”, përfaqësuan Shqipërinë duke performuar të fundit në renditjen e natës finale, me një këngë tërësisht në shqip dhe të ruajtur në versionin e saj origjinal.
Shqipëria përfundoi garën në vendin e 8-të nga 26 finalistët, me një total prej 218 pikësh – 173 nga televotimi i publikut dhe vetëm 45 nga juritë profesioniste. Franca ishte i vetmi vend që i dha Shqipërisë pikët maksimale, 12 pikë.
Megjithëse nuk sollën trofeun në shtëpi, “Shkodra Elektronike” arriti të vendosë Shqipërinë në qendër të vëmendjes europiane. Sondazhet ndërkombëtare dhe mediat prestigjioze, përfshirë edhe CNN, i vlerësuan ata si një nga performancat më të veçanta dhe më të fuqishme të këtij viti në Eurovision.
View this post on Instagram







