Trajneri i kombëtares shqiptare Sylvinho Mendes ka folur për mediat pas ndeshjes me Letoninë ku kuqezinjtë fituan me rezultatin minimal 1-0.
Teksa e nisi me sulmuesin Armando Broja tha se ai ka bërë një ndeshje të mirë dhe se ishte i kënaqur me të. Lidhur me minutat e para, Sylvinho pranoi se ishin të vështira dhe mund të kishin rrezikuar rezultatin.
Ndërsa i pyetur për mungesën e golave, tha se rëndësi ka të ketë raste shënimi dhe se nuk ishte i shqetësuar për këtë pjesë.
“Broja ka bërë një ndeshje shumë të mirë. Jam i kënaqur me të. Sapo ka ndryshuar klubin. Nuk më shqetëson që nuk ka shënuar, ka rrugë përpara. Do të vijë momenti i tij. 25 minutat e fundit ishin të vështira dhe rrezikuan pak. Me 2-3 topa në ajër mund të na i vinin në rrezik rezultatin. Manaj ishte i freskët nga ndeshja e kaluar, po ashtu edhe Broja. Këto ishin zgjedhjet. Letonia këto lloj ndeshjesh ka zhvilluar. Është një ekip që qëndron në lojë dhe mund të të rrezikojë kur je 1-0.
Goli do të vijë në momentin e duhur, nuk jam i shqetësuar për këtë pjesë. Kemi krijuar situata që të çojnë te goli. Nuk më shqetëson mungesa e golave. Ne e dimë që pika e vështirësisë janë 30 metrat e fundit. Këto mundësi do të krijohen në të ardhmen.
Është një ndeshje e rëndësishme me 3 pikët në xhep, për të vazhduar garën. Kemi bërë një grumbullim shumë të mirë. Alban Bushi po bën një punë të shkëlqyer, duke rritur brezat e rinj. Vitin tjetër ka një kompeticion të rëndësishëm si Europiani. Janë në një rrugë të mirë dhe janë shumë trajnerë të mirë, Bushi dhe Bulku”, u shpreh Silvinho. Versus.al







