Mira Murati, Shefja për Teknologji e kompanisë OpenAI, ka njoftuar largimin e saj pas më shumë se gjashtë vjetësh në këtë pozicion.
Gjatë karrierës së saj në OpenAI, Murati kishte marrë një rol kyç, veçanërisht gjatë një periudhe sfiduese vitin e kaluar, kur pati një përpjekje të dështuar për puç ndaj themeluesit të kompanisë, Sam Altman.
Në një mesazh drejtuar punonjësve të OpenAI, të cilin e shpërndau edhe në rrjetin social X, Murati deklaroi se “kam marrë vendimin që të largohem nga OpenAI”.
I shared the following note with the OpenAI team today. pic.twitter.com/nsZ4khI06P
— Mira Murati (@miramurati) September 25, 2024
Ky vendim pason një seri largimesh nga disa zyrtarë të lartë të kompanisë, përfshirë edhe bashkëthemeluesit Ilya Sutskever dhe John Schulman.
OpenAI, kompania e njohur për krijimin e ChatGPT, ka qenë një nga kompanitë me rritjen më të shpejtë në botë.
Në mesazhin e saj, Murati, inxhinierja 35-vjeçare nga Vlora, Shqipëri, theksoi se “asnjëherë nuk është momenti i duhur për të larguar nga një vend që e vlerëson, por ndiej se ky është vendimi i duhur”.
Murati gjithashtu përmendi se lançimi i modeleve për të folurit të OpenAI o1 shënon fillimin e një epoke të re në fushën e inteligjencës artificiale dhe ndërveprimit njerëzor, duke vlerësuar inteligjencën dhe mjeshtërinë e kolegëve të saj në kompani.
Ajo shpjegoi se vendimi për t’u larguar erdhi nga dëshira për të krijuar “kohë dhe hapësirë për të eksploruar”, duke theksuar se synimi i saj është që tranzicioni në kompani të zhvillohet sa më lehtë pas largimit të saj.
Sam Altman, CEO i OpenAI, përmes një postimi në X, shprehu mirënjohjen e tij të thellë ndaj Muratit për kontributin e saj në suksesin e kompanisë. “Mira Murati ishte një person shumë i rëndësishëm për misionin tonë dhe për ne personalisht,” shkroi Altman. Ai shtoi gjithashtu se ndjehet jashtëzakonisht mirënjohës për mbështetjen e saj gjatë kohërave të vështira dhe mezi pret të shohë projektet e ardhshme të saj.
Vlera e OpenAI është rritur me shpejtësi që kur, në vitin 2022, lansoi aplikacionin ChatGPT, duke e bërë një prej kompanive më të vlefshme në botë, me një vlerë të vlerësuar mbi 150 miliardë dollarë.







