MAGAZINË /

Skandal në Serie A e Formula1 / Rrjet luksi, festa dhe eskorta për futbollistët e pilotët. 4 në arrest, miliona euro të sekuestruara

Organizata në stil korporate ofronte “paketa VIP” pas ndeshjeve në Milano; në hetim përdorimi i “gazit qeshës” për të shmangur testet e dopingut

Shkruar nga Versus

Skandal në Serie A e Formula1 / Rrjet luksi, festa dhe eskorta për

Një rrjet i organizuar si kompani eventesh VIP ka përfunduar në qendër të një skandali të madh në Itali, pasi dyshohet se u ofronte futbollistëve të Serie A dhe biznesmenëve festa luksoze, shoqëri dhe shërbime të paligjshme pas ndeshjeve në Milano.

Sipas hetimeve të Prokurorisë së Milanos, rreth 50 futbollistë – përfshirë lojtarë nga Interi, Milani dhe ekipe të tjera vizitore – kanë qenë pjesë e eventeve ekskluzive, të promovuara si festa elitare në rrjetet sociale. Pas mbrëmjeve në klube, për disa prej tyre “paketa” vazhdonte në ambiente private hoteli, me shërbime që kushtonin mijëra euro.

Në qendër të skemës ishin katër organizatorë, të cilët tashmë ndodhen në arrest shtëpiak, të akuzuar për shfrytëzim prostitucioni, ndërmjetësim dhe vepra të tjera penale. Dy prej tyre konsiderohen si figurat kyçe të një strukture që funksiononte si agjenci PR dhe eventesh, me bazë në zonën e Cinisello Balsamo.

Hetimet zbulojnë se rreth 100 vajza të reja rekrutoheshin për të argëtuar klientët në festa dhe ambiente private. Një pjesë e tyre ofronin shërbime kundrejt pagesave të larta, ndërsa organizata merrte përqindje të konsiderueshme nga fitimet, duke operuar jo vetëm në Milano, por edhe në destinacione luksoze si Mykonos.

Një tjetër element që ka ngritur alarmin e hetuesve është përdorimi i oksidit të azotit, i njohur si “gazi qeshës”. Sipas autoriteteve, kjo substancë përdorej për efektet e saj euforike dhe për faktin se nuk zbulohet lehtësisht në testet standarde të dopingut, duke e bërë tërheqëse për atletët profesionistë.

Operacioni i Guardia di Finanza çoi në sekuestrimin e mbi 1.2 milionë eurove, të dyshuara si të ardhura nga aktiviteti kriminal, përfshirë pastrim parash dhe trafikim droge. Sipas prokurorisë, të ardhurat e të dyshuarve ishin shumëfish më të larta se ato të deklaruara zyrtarisht dhe lidhen drejtpërdrejt me këtë skemë të sofistikuar.

 

Poll