MAGAZINË /

Sot prezantohet iPhone 17: Modelet dhe inteligjenca artificiale

Seria iPhone 17 do të përfshijë versionet standard, Pro dhe Pro Max, ndërsa për herë të parë në gamë do të shtohet edhe iPhone Air.

Shkruar nga Versus

Sot prezantohet iPhone 17: Modelet dhe inteligjenca artificiale

Apple do të prezantojë sot, të martën, iPhone-in më të hollë që ka prodhuar ndonjëherë, në një aktivitet që do të zhvillohet në selinë e saj në Cupertino, në teatrin “Steve Jobs”.

Seria iPhone 17 do të përfshijë versionet standard, Pro dhe Pro Max, ndërsa për herë të parë në gamë do të shtohet edhe iPhone Air.

Sipas vlerësimeve të analistëve, modeli i ri do të jetë smartphone-i më i lehtë “flagship” i Apple, duke ndjekur traditën e laptopëve të hollë MacBook. Kompania nuk i ka mohuar këto zëra.

Përveç telefonave, Apple pritet të prezantojë edhe Apple Watch Series 11, si dhe një version të ri të kufjeve AirPods. Madje, përflitet se AirPods do të pajisen me funksionin e përkthimit në kohë reale, një veçori që Google e kishte integruar prej disa vitesh tek Pixel Buds.

Ngjarja pritet gjithashtu të përfshijë edhe njoftimin e datave të lançimit për sistemet e reja operative iOS 26 për pajisjet mobile dhe macOS Tahoe për kompjuterët.

Sipas The Guardian, njoftimet e Apple po zbehen nga tarifat e Donald Trump, të cilat rrezikojnë të shqetësojnë zinxhirin global të prodhimit të iPhone-ve dhe të çojnë në rritje të konsiderueshme të çmimeve, sidomos për shkak të taksave mbi produktet që vijnë nga Kina. Nëse këto tarifa zbatohen, konsumatorët mund të duhet të mbulojnë këtë kosto. Drejtori ekzekutiv, Tim Cook, deri tani ka shmangur parashikimet më pesimiste për iPhone-t me vlerë 2.000 dollarë, duke transferuar një pjesë të konsiderueshme të prodhimit në Indi dhe duke dërguar sasi të mëdha pajisjesh në SHBA para zbatimit të tarifave.

Investitorët dhe përdoruesit e iPhone presin gjithashtu njoftime për Apple Intelligence, paketën e funksioneve të inteligjencës artificiale që u prezantua në tetor 2024, por që nuk mori pritjen e pritur. Ndër njoftimet e asaj periudhe ishte edhe përmirësimi i plotë i asistentit virtual Siri, i cili nuk u realizua kurrë – një rast i rrallë për standardet e kompanisë.

Gjatë një telekonference për rezultatet e korrikut, Tim Cook deklaroi se Apple “po bën përparim të mirë drejt një Siri më të personalizuar” dhe premtoi lançimin gjatë vitit 2026. Për më tepër, janë raportuar bisedime me Google për përdorimin e modeleve të inteligjencës artificiale Gemini, me qëllim përmirësimin e Siri, në një bashkëpunim të ngjashëm me ofrimin e motorit të kërkimit të Google në Safari./Versus.al

Tags:

apple

Poll