Gazeta britanike "The Guardian" i ka kushtuar një shkrim të gjatë përballjes së sotme Shqipëri-Serbi, duke vënë gisht "në plagët e vjetra e të reja" mes dy vendeve dhe dy kombëtareve, por edhe aktirëve e faktorëve të tjerë që kanë nxitur klimën e polarizuar para kësaj ndeshje.
SHKRIMI
Jashtë një kafeneje vetëm tre blloqe larg nga “Arena Kombëtare”, dy burra qëndronin mbi karrige duke rregulluar mbulesën e tendës. Dreka e së enjtes sapo kishte përfunduar dhe Tirana po hynte në atmosferën e nxehtë të një ndeshjeje që, nëse do të ishte e mundur, do të mbushte stadiumin kombëtar dhjetë herë me radhë. Flamuri shqiptar, shqiponja dykrenare, ishte i kudondodhur. Por bashkë me të u ngrit edhe një tjetër simbol që tashmë ka hyrë në përdorim të shpeshtë: fjala “Autochthonous”, e shkruar mbi një hartë të ashtuquajtur “Shqipëria e Madhe” – një simbol që në vitin 2014 ktheu një ndeshje futbolli në një incident diplomatik madhor.
Deri të premten në mëngjes, flamuri ishte zëvendësuar me një version më pak provokues. Ndoshta autoritetet kishin ndërhyrë “me një fjalë të qetë”. Ata janë të vendosur të shmangin çdo shkëndijë që mund të sjellë kaos si ai i ndodhur në Beograd 11 vite më parë, kur një dron uli flamurin me hartën në stadiumin e Partizanit, gjatë një ndeshjeje kualifikuese për Euro 2016 mes Serbisë dhe Shqipërisë. Pasojat e asaj nate shkuan përtej sportit, ndërsa lehtësimi ishte i madh kur ndeshja e kthimit në Elbasan në nëntor të vitit pasardhës kaloi pa incidente të mëdha.
Sidoqoftë, në dhjetor të vitit të kaluar, federatat e të dy vendeve ndoshta janë kapur për koke kur goglat i vendosën përballë për kualifikueset e Botërorit 2026. Jashtë Ballkanit pati habi, por nuk kishte asnjë arsye që të mos përballeshin sërish – pavarësisht historisë së përgjakshme, me plagë ende të freskëta nga lufta në Kosovën me shumicë shqiptare. Asnjëra palë nuk kishte kërkuar të shmangte tjetrën. Ishte e pashmangshme që çështja e menaxhimit të kësaj marrëdhënieje përreth stadiumit të ringrihej një ditë.
Dhe për këtë nuk po kursehen burime. Rreth 2,000 forca policie, përfshirë njësitë speciale dhe antiterror, do të jenë në detyrë për ndeshjen e parë të Grupit K të shtunën mbrëma. Sipas burimeve, edhe rreth 500 policë civilë do të jenë të shpërndarë mes 22,500 tifozëve në stadium. Tifozët serbë nuk do të jenë të pranishëm. Pajisje kundër dronëve janë vendosur në zonën përreth dhe cilido që tenton të përdorë një pajisje të tillë është paralajmëruar se ajo do të rrëzohet menjëherë.
Sot, në një kohë kur dronët janë bërë thuajse të zakonshëm, çdo tentativë për trazira ka gjasa të marrë formë tjetër. Por masat rikujtojnë figurën e Ismail Morinës, operatori i vinçit me mjekër dhe pamje të padëmshme, i cili mori përgjegjësinë për incidentin e vitit 2014 – dhe për shumë shqiptarë u kthye në një hero kombëtar. Pak e raportuar në atë kohë ishte prania e një bashkëpunëtori, i cili ka zgjedhur të mbetet në hije.
Hapja e Morinës pati pasoja: ai u arrestua për armëmbajtje pa leje para ndeshjes së kthimit në vitin 2015 dhe nuk u lejua të ishte i pranishëm. Më vonë u arrestua dhe në Kroaci e Itali, ku ka leje qëndrimi, me urdhër arresti serb përmes Interpolit. Ai është rikthyer në stadiume shqiptare, përfshirë një ndeshje kundër Çekisë në vitin 2023 ku u ngrit lart nga tifozët në tribunë dhe shkëmbeu fanellë me golashënuesin Jasir Asani. Kohët e fundit është parë në ndeshje të kampionatit vendas, por në prag të ndeshjes së së shtunës, llogaritë e tij aktive në rrjete sociale janë mbyllur. Nëse ndonjë nga të njohurit e tij e di ku ndodhet, nuk flet. Supozohet se nuk do të guxojë të afrohet pranë stadiumit.
Ai nuk është i vetmi ultra që do të mbahet larg. FSHF nuk ka shitur bileta në mënyrë të organizuar për grupet e tifozëve, por ka aplikuar një sistem shorti nga mbi 200,000 aplikime dhe ka rritur ndjeshëm çmimet. Kjo shihet si përpjekje për të “sterilizuar” atmosferën. Grupi Tifozat Kuq e Zi, që zakonisht sjell më shumë jetë në ndeshjet e Kombëtares, ka reaguar me zemërim, duke e quajtur procesin “një farsë e organizuar për të pasurit”. Ata do të mbajnë një grumbullim alternativ pranë Piramidës së Tiranës, vetëm 400 metra nga stadiumi, me leje për një ekran gjigant. Ndërkohë, në tregun e zi çmimet e biletave kanë kaluar shifrën 1,000 paund.
Fakti që Shqipëria dhe Serbia do të bashkë-organizojnë Kampionatin Europian U-21 në vitin 2027 shton edhe më shumë peshë kësaj ndeshjeje. Për UEFA-n, kjo është një provë vendimtare. Bashkë-organizimi, i shtyrë kryesisht nga presidenti i FSHF-së dhe anëtari i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, Armand Duka, mund të duket i paqëndrueshëm nëse gjërat nuk shkojnë mirë. Tifozat Kuq e Zi e kanë shprehur pakënaqësinë për këtë vendim, si me fjalë ashtu edhe me simbole vizuale, duke sugjeruar se kjo ka ndikuar në përjashtimin e tyre.
E vetmja ndërprerje gjatë seancës stërvitore të Shqipërisë të enjten në mbrëmje ishin spërkatësit që punonin me zell – dhe në temperatura që shkonin deri në 30°C, nuk ishin fare të padëshiruar. Elseid Hysaj, mbrojtësi i Lazios, është i vetmi lojtar i kombëtares aktuale që ishte pjesë e ndeshjes famëkeqe në Beograd.
“Duhet të shmangim pamjet e së kaluarës,” tha ai. “Trajneri na ka kërkuar të mos e marrim me panik këtë ndeshje. Na duhet qetësi dhe ekuilibër emocional.”







